E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania ratifikon Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.Gjermania: Anëtarësimi në NATO i Shqipërisë do të japë një kontribut kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Europë. Kryetarja e Kuvendit letër falënderimi Kryetarit, Peter Muller.

  Bundesrat-i Gjerman (Këshilli federal) ratifikon protokollin e datës 9 korrik 2008 për Marrëveshjen e Atlantikut të Veriut mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.   Në këtë mënyrë, pas ratifikimit nga Bundestagu (parlamenti) pak ditë më parë dhe tashmë edhe nga Bundesrati, Gjermania përmbyll procedurën parlamentare të ratifikimit, duke u bërë kështu vendi i gjashtëmbëdhjetë që ratifikon këtë protokoll.   Në një deklaratë për shtyp të Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, theksohet se: Qeveria federale e Gjermanisë është e bindur, se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë do të japë një kontribut kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Europë. NATO është më shumë se një aleancë për mbrojten, ajo është edhe një bashkësi transatlantike e gjerë vlerash që mbështetet në parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe shtetit ligjor dhe që është angazhuar për nxitjen e paqes dhe stabilitetit.   Në emër të saj dhe të Kuvendit të Shqipërisë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, përmes një letre dërguar Kryetarit të Bundestratit gjerman Peter Muller, falenderoi anëtarët e Bundesratit për votën e tyre pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe besimit të tyre te vlerat e kombit shqiptar dhe vlerësimit të progresit të Shqipërisë.   Edhe gjatë vizitës së fundit të Kryetares së Kuvendit në Francë, Kryetari i Asamblesë Kombëtare dhe ai Senatit francez konfirmuan se do të kalojnë menjëherë për votim Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO sapo ai të mbërrije nga Qeveria franceze.   Përshpejtim të këtij procesi ratifikimi i kanë konfirmuar Kryetares së Kuvendit edhe krerët e parlamenteve të Italisë, Kanadasë, Belgjikës, etj.   Numri i parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s që po ratifikojnë këtë protokoll, po rritet me një ritëm unik, duke hapur kështu rrugën që në Prill të vitit të ardhshëm në Samitin e Strasburgut, Shqipëria të bëhet pjesë e Aleancës së Veriut krah vendeve të familjes më të madhe të lirisë.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›