Bumçi: Akuzat ndaj meje, të pavërteta, firmosa më 9 dhe jo më 13 mars
Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka deklaruar se akuzat e bëra nga opozita mbi vendimet për demontimin e armëve të Gërdecit janë të pavërteta. Pas daljes në media për një faks të dyshimtë, reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë është se shkresa që i ishte dërguar djalit të Kryeministrit Berisha mbante datën 9 mars, ndërsa ajo e paraqitur nga opozita mbante datën e 13 marsit 2007 dhe kjo e bën atë mjaft të çuditshëm. Bumçi pohoi se ai ka hedhur firmën mbi faksin drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes për shkatërrimin e armëve. Por ai shtoi se shkresa është firmosur prej tij më 9 mars, ndërsa në faks me shkrim dore është shënuar data 13 mars 2007.
Në një deklaratë për shtyp, ai u shpreh se gjithçka që ka thënë më parë është e vërtetë dhe se ai nuk ndryshon absolutisht asgjë në deklaratat e tij. “Unë i qëndroj gjithçkaje që kam thënë në deklaratën para dy ditësh, çdo fjalë, pikë e presje. Ai është qëndrimi im me përgjegjësinë politike e morale”, - u shpreh Bumçi. Një gjë të tillë, ai e kishte deklaruar edhe më parë, gjatë prononcimeve për shtyp, pas akuzave të bëra. Ish-ministri i Drejtësisë akuzohet nga opozita se i ka dërguar një shkresë djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berishës, ku jepej informacion për Gërdecin. Por për Bumçin gjithçka është trillim. Ai solli një sërë argumentesh për të mbështetur qëndrimin e tij, duke u shprehur në përgjegjësinë e tij personale, se dokumenti i propozuar nga opozita është falsifikuar duke renditur ndër arsyet kaligrafinë dhe diferencën e ditës kur është dërguar ky informacion.
“Çdo shkrim në dokumentin e pretenduar është i falsifikuar dhe nuk është i ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, gjë e cila vërtetohet shumë thjesht nga vërtetimi i kaligrafisë, shkrimi im si ish-ministër i Drejtësisë gjendet në qindra dokumente”, - u shpreh Bumçi.
Ai përmendi edhe një arsye të dytë, sipas së cilës, në ministrinë që ai ka drejtuar nuk ka asnjë dokument origjinal, që të vërtetojë këto akuza. “Fakti i dytë është se në arshivën e Ministrisë së Drejtësisë nuk gjendet asnjë dokument origjinal, që protokollohet dhe ruhet në këtë ministri, që të përmbajë shënimin në fjalë”, - sqaroi Bumçi. Më tej, ai ka përmendur edhe faktin se përgjigja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë dërguar me faks Ministrisë së Mbrojtjes mban datën 9 mars të vitit 2007 dhe jo 13 mars të vitit 2007. “Nëse ju kontrolloni, përgjigjja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë dërguar me faks në Ministrinë e Mbrojtjes mban datën e 9 marsit të vitit 2007 dhe jo të 13 marsit të vitit 2007”, - përfundoi ai.
Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, akuzohet se i ka dërguar një shkresë djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, ku i jep informacion për Gërdecin. Edhe para tre ditëve në një konferencë për shtyp, Bumçi deklaroi se dokumenti i propozuar nga opozita është falsifikuar. Ai e ka quajtur këtë si një “dëshmi e interesit për të manipuluar hetimin e çështjes se Gërdecit”. Gjatë seancës së fundit parlamentare, deputetët e PS-së, Erion Braçe dhe Taulant Balla, akuzuan ish-ministrin Aldo Bumçi se ka firmosur dhe përcjellë shkresa për djalin e Kryeministrit Berisha.
Detaj
9 dhe jo 13 mars 2007 është data e firmosjes së dokumentit të diskutuar nga ana e Bumçit