E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë: Dokumenti origjinal, s’ka shënim dhe është firmosur më 9 mars

Ministria e Drejtësisë ka publikuar dokumentin origjinal të firmosur nga ish-ministri Aldo Bumçi, duke përgënjeshtruar akuzat e hedhura nga opozita, se ai kishte lidhje me çështjen e Gërdecit dhe se i kishte raportuar djalit të Kryeministrit. Shkresa origjinale është firmosur në datën 9 mars 2007 dhe jo në datën 13 mars, siç ishte pretenduar në disa media dhe nga opozita dhe nuk ka asnjë mbishkrim e për më shumë mban një tjetër numër protokolli. Në arkivin e ministrisë, kjo shkresë ndodhej e protokolluar me numër protokolli 1594/1 dhe mban datën 09.03.2007. Përmbajtja e kësaj shkrese, lënda saj është “Mendim për një projektvendim” dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe mban firmën e ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Aldo Bumçi.

Në këtë shkresë nuk ka asnjë shënim dhe ky është dokumenti i vetëm i depozituar në protokollin e Ministrisë së Drejtësisë. Vetë ish-ministri Bumçi ka deklaruar për mediat se ai i hedh poshtë akuzat e bëra ndaj tij dhe se kishte firmosur një dokument drejtuar ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, por në datën 9 mars dhe jo 13 mars. Në media u publikua një faks, sipas të cilit, ai ishte nisur nga zyra e Aldo Bumçit drejt faksit të Ministrisë së Mbrojtjes në datën 13 mars 2007 dhe pretendohej se ajo ishte një shkresë e dërguar me nxitim paraprakisht, për të koordinuar punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.

Në faksin e publikuar ditën e djeshme kishte edhe një shënim, i cili ia dërgonte faksin “për dijeni” edhe djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, që sipas akuzuesve e ka vënë sekretarja e Aldo Bumçit ose një zyrtar i tij, i cili e ka pasur urgjente t’ia dërgonte këtë shkresë Ministrisë së Mbrojtjes me faks, ndërsa me postë ka mbërritur dy ditë më vonë. Gjithashtu, pretendohet se faksi është dërguar më 13 mars, kur Aldo Bumçi ishte ende ministër, por që kishin nisur ndryshimet, ndërsa ministri i ri, Ilir Rusmali, ka shkuar në zyrë më 21 mars. Ministria e Drejtësisë nga ana e saj ka bërë publik dokumentin origjinal, i nënshkruar dhe i nisur më datë 9 mars, me numër të ndryshëm protokolli dhe pa asnjë nënshkrim mbi të.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›