E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardianët kapin 10 celularë në burgun e Burrelit

Pas një kontrolli të kryer në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, gardianët kanë arritur që të bllokojnë 10 celularë, të cilët mbaheshin të fshehur nga të burgosurit.

Telefonat janë gjetur në zonën D të burgut, ndërsa nuk bëhen të ditur emrat e të dënuarve, të cilët i kishin në përdorim. Gardianët po përpiqen që të parandalojnë edhe rrugët e futjes së tyre në qelitë e të burgosurve, ndërsa nuk dihet mënyra se si këta telefona celularë ranë në duar e të dënuarve. Kontrolli u bë ditën e djeshme, në një prej burgjeve ku vuajnë dënimin dhjetëra të burgosur, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia. Telefonat përdoren nga të burgosurit, për të folur me familjarët e tyre, si edhe me njerëz të tjerë të afërm.

Pikërisht në këtë zonë janë ushtruar dhe kontrolle të shpeshta nga regjimi i brendshëm i këtij burgu, pasi aty gjithnjë janë shfaqur probleme të ndryshme me futjen e sendeve të paligjshme brenda. Kohët e fundit është kushtuar kujdes nga ana e autoriteteve të burgut për të bërë kontrolle të imta, që të mos mbahen sende që nuk lejohen.

Një nga këto kategori janë dhe aparatet celularë, përmes të cilave, realizohen biseda të të dënuarve me të afërm të tyre apo persona të tjerë. Kontrolli u ushtrua ditën e djeshme, pasi kishte sinjalizime për aparate celulare që mund të kalonin në duart e të dënuarve, por burimet nuk saktësojnë se cila ka qenë mënyra e futjes së tyre brenda në burg, kur dihet se rregullorja kërkon që të kryhen kontroll i imtë në pakot që u sillen të dënuarve nga të afërm të tyre që tek porta e burgut.

Në burgun e sigurisë së lartë në Burrel vuajnë dënimin rreth 210 të burgosur, 40 prej të cilëve janë të dënuar me burgim të përjetshëm, mes tyre Zani Caushi, Jaho Mulosmani, Gazmen Braka dhe persona të tjerë të rrezikshëm. Pikërisht në zonën D të burgut ku qëndrojnë këta persona, gardianët kanë gjetur edhe aparatet celulare, prania e të cilave është e paligjshme. Paraprakisht mësohet se celularët janë përdorur nga të burgosurit për të komunikuar me njerëzit jashtë burgut. Ky nuk është rasti i vetëm që në burgjet e sigurisë së lartë në vend kapen mjete të palejueshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›