Bumçi: Asgjë s’e ndal ligjin e lustracionit
“Dosjet e së kaluarës mbajnë peng PS-në”
“PS, trashëgimtare e Partisë së Punës”
Dënimi i krimeve të komunizmit është kundërpërgjigjja e demokratëve ndaj thirrjeve të socialistëve për tërheqjen nga ligji i hapjes së dosjeve. Sipas tyre, asgjë nuk e ndal ligjin e lustracionit. Deputeti dhe zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, i kërkoi dje kreut të PS-së, Edi Rama, që të shkëputet nga e kaluara komuniste dhe të pranojë dënimin e krimeve çnjerëzore të diktaturës komuniste. Aldo Bumçi argumentoi domosdoshmërinë e këtij ligji me krimet që komunizmi ka kryer në 50 vjet në Shqipëri. Bumçi akuzoi lidershipin socialist se ende nuk është ndarë nga nomenklatura e diktaturës më të egër në Evropën Lindore. “Janë lidhjet e shumta me regjimin komunist, me historitë e tij antinjerëzore, arkivat dhe dosjet e së kaluarës që e mbajnë peng sot PS-në dhe kryetarin e saj. Nuk ka asnjë moral njerëzor që të justifikojë këtë qëndrim të turpshëm të PS-së dhe kryetarit të saj ndaj historisë së diktaturës më çnjerëzore në kontinentin evropian, ku u dënuan me varje, u pushkatuan ose vdiqën në tortura rreth 5 mijë shqiptarë, u burgosën rreth 16 mijë të tjerë dhe u internuan me dhjetëra mijëra, duke shkatërruar kështu me dhjetëra jetë njerëzore”, - tha z. Bumçi. Në emër të deputetëve të PD-së, Bumçi u shpreh i vendosur se asgjë nuk do ta ndalë ligjin e lustracionit. Ai bëri të qartë se asgjë nuk do ta pengojë Shqipërinë të arrijë këtë standard moral kaq të nevojshëm, që të distancohet nga krimet e komunizmit. Sipas tij, populli shqiptar nuk ka asnjë arsye morale dhe historike që të mos jetë i barabartë me polakët, çekët, hungarezët dhe popujt e tjerë të Evropës Lindore që i dënuan krimet e komunizmit dhe u distancuan prej tij. Duke reaguar ndaj qëndrimit të PS-së për ligjin e lustracionit, z. Bumçi u shpreh: "PS-ja mbahet peng nga lidhjet e shumëfishta me regjimin komunist dhe historinë e tij çnjerëzore". "Me qëndrimin e saj ndaj ligjit të lustracionit, PS-ja po dëshmon se është trashëgimtare e vërtetë e Partisë së Punës dhe e historisë mizore të krimit komunist kundër popullit të tij", - u shpreh zoti Bumçi. Zëdhënësi demokrat vuri në dukje se "në një kohë që kreu i PS-së flet gjithmonë për politikën e re, nga ana tjetër ai nuk është në gjendje të dënojë krimin komunist, duke dëshmuar se emri i vërtetë i tij është 'Edi Dosja'". Bumçi kritikoi qartë se nuk ka asnjë moral njerëzor që të justifikojë këtë qëndrim të turpshëm të PS-së dhe kryetarit të saj ndaj historisë së diktaturës komuniste më të përgjakshme në kontinentin evropian, ku u dënuan me varje, u pushkatuan dhe vdiqën në tortura mbi 5 mijë shqiptarë, u burgosën 16 mijë të tjerë dhe u internuan me mijëra.