Rama kërkon rikthimin e votuesve të Topit
Kreu i PS-së t’u kërkojë angazhim në parti
Në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, kreu i PS-së, Edi Rama, po tenton të moderojë qëndrimin e tij ndaj kritikëve dhe rebelëve socialistë, duke i ftuar ata që të bëhen pjesë e fushatës elektorale. Burime pranë kreut socialist dhe pranë grupit të deputetëve që aktualisht njihen si grupi i Qendrës në Parlament, bëjnë të ditur se po tentohet afrimi i tyre pranë selisë rozë. Sinjalet janë dhënë nga Rama, i cili po tenton të organizojë dhe një takim me disa prej këtyre deputetëve, të cilët i bëri “hasha” nga partia në momentin që votuan në zgjedhjen e Presidentit Bamir Topi, duke rrëzuar një herë e mirë ëndrrën e Ramës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Bëhet fjalët për deputetët Hamit Kosta, Bukurosh Stafa, Durim Hushi, Paulin Sterkaj e të tjerë. Që nga ajo kohë tashmë ka kaluar një vit e gjysmë dhe gjatë kësaj kohë ka qenë Rama ai që ka bashkëpunuar me mazhorancën aktuale për shumë reforma të rëndësishme, ndërkohë që deputetët “rebelë” u quajtën të përjashtuar nga partia vetëm pse morën pjesë në votimin e Presidentit. Burimet saktësojnë se kryesocialisti po e bën këtë veprim për dy arsye: e para, sepse ka nevojë për mbështetjen e tyre në zonat elektorale nga ata vijnë, për shkak të ndikimit që kanë në elektorat dhe e dyta, për të përmirësuar imazhin e liderit që nuk pranon mendimin ndryshe në parti. Ndërkohë, mundësitë që t’u ofrojë dhe vend në listën e deputetëve janë të mëdha. Kujtojmë këtu që Paulin Sterkaj për shembull arriti të dilte deputet me siglën e PS-së në Shkodër, në një zonë të njohur si të djathtë. Por, tentativa e Ramës për të negociuar me “rebelët” megjithëse ka disa javë që formësohet nga bashkëpunëtorët e tij, akoma nuk ka marrë hapa konkretë. Hezitimi vjen për shkak të përgjigjes që mund të merret nga këta deputetë, që njihen ndryshe edhe si nanoistë. Ndërkohë, të kontaktuar nga “standard”, disa nga deputetët e këtij grupi thanë se një rikthim në PS nuk varet vetëm nga kërkesa e Ramës, por nga vullneti i tyre për të bërë një gjë të tillë. Megjithëse nuk pranojnë të identifikohen ata thonë se “para se Rama të negociojë me ne duhet të ftojë Fatos Nanon në PS, i cili siguron një përqindje vendimtare votash në zgjedhje”. E ndërkohë me ironi ata shtojnë se “Rama s’ka nevojë për ne, sepse ka politikën përtej së majtës e së djathtës”.
Që nga shkëputja me PS-së këta deputetë nuk ka ndërmarrë hapa politikë për të shkuar drejt LSI-së apo partisë më të re që doli nga gjiri i PS-së, e drejtuar nga Petro Koçi. Duket se këta deputetë presin të zgjedhin rrugën e tyre para zgjedhjeve të 2009-s, ndërkohë që e majta është ndarë në dy koalicione, ai i PS-së dhe ai i drejtuar nga LSI-ja. Duket qartë se Rama nuk do ta ketë aq të lehtë të rikthejë të larguarit në parti, qoftë dhe për t’i dhënë disa pikë më tepër imazhit të tij në publik si lider i hapur dhe bashkëpunues. Atij do t’i duhet më parë të shkelë mbi plagën e vjetër, të ftojë ish-paraardhësin e tij dhe njëkohësisht “armikun” e tij politik brenda llojit. Fatos Nano është emri kyç në gjithë këtë histori. Edhe pse prej kohësh ai është larguar nga skena e politikës, hija e tij 14-vjeçare në PS është ende e fortë dhe zërat që kërkojnë rikthimin e tij para zgjedhje si kusht për fitoren janë shtuar.