NATO, Kryeministri Berisha ndryshon “lukun”
Stema e Kryeministrit “zhvendoset” nga qeveria
Ndryshime të tjera pas samitit të NATO-s
Qytetarët e Beratit shohin të parët nga afër lukun e ri politik të Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Podiumit të “Shqipëria po ndryshon” dje iu shtua edhe stema e “Kryeministrit”. Ajo u zhvendos dje nga godina e qeverisë drejt Beratit, ndërkohë që nga qeveria flitet për surpriza të tjera pas samitit të NATO-s. Shefi i qeverisë bëri dje ndryshimet e para elektorale, duke shfaqur në sfond gjatë takimeve që zhvilloi në qytetin e Beratit, një tjetër pamje. Ndryshe nga herë të tjera, ku podiumi nga ku fliste Kryeministri Berisha lustrohej me logon “Shqipëria po ndryshon”, dje ishte shtuar dhe një tjetër, ajo e “Kryeministrit”. Një skemë e tillë e mbushur plot banderola blu është parë tek zgjedhjet e Presidentit të SHBA-së, Barak Obama. Por ishte PDSH-ja, e kryesuar nga lideri Sali Berisha në zgjedhjet parlamentare të 2005-s, ajo që apeloi ndaj shqiptarëve se është “Koha për ndryshim”. Ky slogan që trumbetoi fuqishëm deri në skajet më të largëta të Shqipërisë përgjatë fushatës elektorale të demokratëve, solli vërtet ndryshimin e madh për shqiptarët. Pas 8 viteve në opozitë, ata votuan siglën e PD-së dhe bashkë me të dhe ndryshimin. Por pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, një vit më parë, kreu i qeverisë Sali Berisha ndërmori një tur në mbarë vendi nën moton “Shqipëria po ndryshon”. Me afrimin e samitit të NATO-s në 2-4 prill, ku Shqipëria pret të bëhet anëtare me të drejta të plota, podiumit të “Shqipëria po ndryshon” iu shtua edhe ajo e “Kryeministrit”. Kjo stemë deri dje qëndronte vetëm brenda mureve të godinës së Këshillit të Ministrave dhe në mënyrë të veçantë në sallën e konferencave të shtypit. Por afrimi i samitit, duket qartë se e ka zhvendosur atë drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë, ku dhe po investohet në mënyrë të vazhdueshme nga qeveria “Berisha”. Ndryshimi u publikua paraditen e djeshme në qytetin e Beratit ku Kryeministri përuroi një sërë veprash publike. Por burime pranë Kryeministrit bëjnë të ditur se menjëherë pas anëtarësimit të plotë në NATO, surpriza të tjera do të shfaqen nëpër takimet e Kryeministrit të vendit. Aktualisht, janë projektuar podiume për tematika të veçanta të cilat do të jenë në përputhje me investimet që bëhen. P.sh. në rast të një investimi në arsim, logoja ka të bëjë me fushën përkatëse etj. Në Berat, për herë të parë Berisha foli dhe për ndryshimet e reja elektorale nga ku i kujtoi kundërshtarit politik dy prej tyre: “Njëri është ndryshimi me rrugë, ujësjellës, ura dhe shkolla të reja, ndërsa tjetri është thjesht ndryshim me shpifje trillime dhe mashtrime”.