LSI: Nuk do ta lejojmë Ramën të grabisë buxhetin e qytetarëve
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e ka cilësuar tërheqje të saj veprimin e kreut të Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, që autorizoi nënkryetarin për të hedhur firmën në buxhetin e Ramës. Përkundrazi, sekretari i përgjithshëm, i LSI-së, z. Petrit Vasili, ka qenë më i ashpër se kurrë duke bërë të qartë se pozicioni i LSI-së vazhdon të jetë kundër këtij buxheti, që u miratua pa votat e këshilltarëve të saj. Vasili tha se “askush të mos ketë asnjë iluzion se LSI-ja do të lejojë që Ramat dhe Kokëdhimat të grabisin buxhetin e qytetarëve, siç kanë bërë për 11 vite me radhë”. Duke folur për veprimin e Dervishajt, ai tha: “Kryetari i Këshillit Bashkiak ka refuzuar prerë të legjitimojë një aferë të tillë të pistë të një votimi që do të mbahet mend gjatë si një nga ngjarjet më të rënda dhe turpi i Bashkisë së Tiranës kur kryetari i bashkisë bleu votat e këshilltarëve të djathtë dhe më pas numëroi po vetë votat e vjedhura”. Sipas Vasilit: “Çfarëdo që të ndodhë me këtë projektbuxhet abuziv dhe korruptim deklarojmë qartë dhe prerë se LSI-ja nuk do të lejojë të vidhet asnjë qindarkë nga mundi dhe djersa e taksave të qytetarëve të Tiranës”. Në vazhdim këshilltarët e LSI-së duket se do të vazhdojnë betejën me kreun e bashkisë për mënyrën se si ai do t’i shpenzojë paratë. “Askush nuk duhet të ketë një iluzion se LSI-ja do të lejojë që paratë e qytetarëve të varrosen duke mbushur gropat e bulevardit me rërë e bitum nën shi e të vidhen me miliona publikisht”, - tha Vasili.