E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti Keçi: Firma për buxhetin, nëse është në rregull



Duket se gjasat që buxheti i Bashkisë së Tiranës të zyrtarizohet janë të mëdha tani që ai ka mbërritur në zyrën e prefektit Ruzhdi Keçi. Duke folur për mediat një ditë pasi kishte marrë në dorëzim këtë buxhet me firmën e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, ai tha se do ta studiojë dhe më pas do të vendosë nëse do t’i japë firmën e tij, që është dhe hapi i fundit zyrtar para se të hyjë në fuqi. Ndërkohë, votimi i tij la shumë dyshime dhe pikëpyetje pasi mori disa vota pro nga mazhoranca në një proces votimi që u cilësua si jo i rregullt. Por prefekti nuk është nxituar të jap një verdikt të qartë për vendimin e tij. “Do e shikoj e studioj, nëse është në rregull apo jo, por nuk mund të them që tani nëse do e firmos apo jo”, - u shpreh prefekti për mediat. Vajtja deri në zyrën e Keçit u bë e mundur pasi kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, autorizoi me shkrim nënkryetarin e këshillit, Petraq Simo, që të firmosë kalimin e buxhetit të bashkisë. Ky vendim është parë dhe si tërheqje e LSI-së e cila e kundërshtoi në mënyrë të ashpër këtë buxhet dhe e bllokoi votimin e tij disa herë në këshill deri ditën që u dhanë votat nga partitë e vogla të djathta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›