Bumçi: Bashkia e Tiranës dështoi me trafikun në Tiranë
Prej tri ditësh Bashkia e Tiranës ka bllokuar lëvizjen në njërën nga nyjet rreth sheshit “Skënderbej”. Me këtë masë trafiku është rënduar së tepërmi, duke irrituar qytetarët. Për këtë problem reagoi dje kryetari i Partisë Demokratike të Tiranës Aldo Bumçi. Sipas tij, mungojnë segmentet alternative për të shmangur radhët e gjata të automjeteve, që vërehen në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të Tiranës. Bumçi deklaroi se Bashkia ka dështuar në zgjidhjen e çështjes së trafikut në kryeqytet. “Për të pasur një trafik të pranueshëm në qytet, sipërfaqja kushtuar trafikut duhet të jetë 20 për qind e gjithë sipërfaqes së qytetit. Në rastin e Tiranës, sipërfaqja dedikuar trafikut është 6.6 për qind me ndërhyrjet për të përkeqësuar më tej këtë situatë të rënduar, Bashkia e Tiranës me ndërhyrjet e saj pa një plan të përkohshëm, ka krijuar këtë gjendje të rënduar kur trafiku i rrugës së Durrësit, trafiku i rrugës së Kavajës, që janë në maksimumin e tyre, orientohen këtu në një grykë shishe dhe krijojnë këtë bllokim për qytetin e Tiranës”, tha Bumçi. Ai shtoi se pavarësisht situatës së krijuar, deputeti demokrat Bumçi tha se Qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë situatë pasi trafiku në kryeqytet është kompetence e Pushtetit Lokal. “Bashkia e Tiranës nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë plan të përgjithshëm për të rregulluar lëvizjen e trafikut në qytetin e Tiranës. Në një kohë kur Plani i Përgjithshëm i Rregullimit të Trafikut përbën një nga detyrat kryesore të çdo Bashkie dhe në rastin e kryeqyteteve, për shkak të fluksit të shtuar të trafikut Plani i Përgjithshëm i Rregullimit të Trafikut është detyra më e rëndësishme dhe parësore. Për shkak të keq-qeverisjes dhe paaftësisë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, gjatë këtyre viteve gjendja e trafikut është përkeqësuar në mënyre të frikshme”, tha Bumçi. Sipas tij, për të pasur një qarkullim të pranueshëm, minimumi i hapësirës së përcaktuar për transportin në një qytet duhet të jetë të paktën 20 % e sipërfaqes së qytetit, kur në rastin e Tiranës kjo hapësirë përbën vetëm 6.6% të sipërfaqes së qytetit. Pra tri herë më e vogël se minimumi i kërkuar”.