Bumçi: Bllokimi i mbledhjeve të KRrT-së të Tiranës nga Rama tani që ka humbur shumicën, tregon se ka diktuar vendimmarrjen dhe çdo leje ndërtimi të lëshuar

Deputeti demokrat vëren se Edi Rama nuk mbledh më KRrT-në e Tiranës pasi aty ka humbur shumicën dhe nuk është në gjendje të kontrollojë siç ka bërë më parë, vendimet apo edhe çdo leje ndërtimi që miratohet.
Deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se Edvin Rama është duke favorizuar ndërtimet pa leje dhe informalitetin në Tiranë, porsa kohë nuk ka guxim të mbledhë KRrT-në, pasi aty ka humbur shumicën tashmë. Deputeti demokrat, Bumçi vuri në dukje se kryebashkiaku nuk mund të miratojë më leje ndërtimi në konflikt të hapur interesi, pasi në KRrT-në që deri një vit më parë kontrollohej nga vetë ai dhe klani i tij, tani ka humbur ndjeshëm shumicën. Bumçi denoncoi gjithashtu edhe mos dorëzimin e planit rregullues të kryeqytetit, duke se Rama e la Tiranën pa plan që ta trajtonte atë si çifligun e tij, dhe me klanin e tij mafioz të lejeve dhe trojeve të kontrollonte industrinë e ndërtimit në kryeqytet.
Deklarata e plotë e deputetit Aldo Bumçi:
“Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Rama nuk mbledh më Këshillin Rregullues të Territorit të Bashkisë së Tiranës sepse ka humbur kontrollin e shumicës që kishte deri tani në këtë këshill. Është e trishtueshme dhe e frikshme në të njëjtën kohë të mësosh konceptin primitive të funksionimit të shtetit që ka kryetari i opozitës; një organ shumë i rëndësishëm siç është KRrT nuk mblidhet sepse Kryetari i Bashkisë nuk kontrollon vendimmarrjen. Ky është koncepti i tij për ligjin, shtetin dhe institucionet. Mos-mbledhja e KRrT dëmton rëndë biznesin e ndërtimit në Tiranë dhe ekonominë e qytetit si dhe nxit ndërtimet pa leje dhe informalitetin. Ndryshe nga çfarë deklaroi z. Rama se nuk ka lidhje me lejet e ndërtimit, ky bllokim tregon shumë qartë se vendimmarrjet e deritanishme të KRrT kanë qenë të kontrolluara nga Kryetari i Bashkisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ka dorëzuar në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës Planin Rregullues të Tiranës, duke shkelur të gjitha afatet ligjore. Çfarë dëshmon dhe një herë se plani i tij i vetëm ka qenë Tirana pa Plan. Dëmi më i madh që i është bërë këtij qyteti në këto 10 vite është se është ndërtuar pa plan; problemet e transportit dhe të parkimit në Tiranë; mungesa e shesheve për kopshte dhe shkolla; mungesa e ambienteve të gjelbra dhe për fëmijë në qytet janë të gjitha pasojë e mungesës së planit. Plani i qytetit do të krijonte transparencë dhe rregulla të barabarta për të gjithë, por kjo do t’i lidhte duart kryetarit të bashkisë. Edi Rama e la Tiranën pa plan që ta trajtonte atë si çifligun e tij, dhe me klanin e tij mafioz të lejeve dhe trojeve të kontrollonte industrinë e ndërtimit në kryeqytet”.
...