Bumçi: Do pesëfishojmë grantet për fermerët
Demokratët përqendrojnë forcat në Qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i degës së PD-së në Tiranë, njëkohësisht i dyti në listën e kryeqytetit për demokratët, Aldo Bumçi, vizitoi periferinë e Tiranës për të bërë premtimet e radhës se çfarë do të bëjë PD-ja në katër vitet e ardhshme, në rast se elektorati do t‘i besojë asaj një mandat të dytë. Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës u takua me fermerë të Komunës Ndroq. Bumçi pa nga afër investimet e kryera në sera dhe në vreshta dhe bisedoi me fermerët për mundësitë që do të ofrohen për financimin e projekteve në bujqësi dhe agro-industri. I dyti në listën e PD-së për Qarkun e Tiranës, Bumçi, theksoi se do të pesëfishohet granti për fermerët. Sipas njoftimit për shtyp të PD-së, fermerët vlerësuan mbështetjen e dhënë nga qeveria për shtimin e prodhimit bujqësor. Ata thanë se subvencionet e dhëna i kanë ndihmuar për të shtuar sipërfaqet e mbjella, duke rritur kështu prodhimin vendas. Kandidati i Partisë Demokratike i siguroi fermerët se në mandatin e dytë qeveria demokratike do të pesëfishojë grantet për projektet bujqësore, duke theksuar se programi i bujqësisë është një nga gjashtë pikat e programit demokrat.