E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Durrës, PD-PS: Dënojmë aktin

Përgjaket fushata elektorale. Një aktivist i Partisë Demokratike është vrarë në Qerret të Durrësit. I riu Artan Zeka humbi jetën nga plumbat e një automatiku, pas një grindjeje për posterat e flamuj elektoralë, ndërkohë që në spital për t‘iu gjendur pranë familjarëve të viktimës së një fushate të egër politike për pushtet kanë qenë kandidatët për deputetë, Ferdinand Xhaferri dhe Igli Cara, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo dhe prefekti i qarkut, Klodjan Pajuni. Ngjarja ndodhi në një nga fshatrat që konsiderohen si bastione të PD-së në Durrës, në Qerret të Komunës Katund i Ri. Gjuha e ashpër e krerëve të politikës në këtë fushatë ka nisur të reflektohet me gjaknxehtësi deri në kryerje krimesh në bazë. Menjëherë pas ngjarjes së Qerretit ka reaguar Partia Demokratike, nëpërmjet Ferdinand Xhaferrit, por edhe zëdhënëses Majlinda Bregu, ndërsa dega lokale e Partisë Socialiste ka heshtur në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, që cenoi imazhin e një fushate të qetë, të moderuar dhe qytetare në vend, duke shfaqur një fytyrë plot tension dhe gjaknxehtësi, deri në përdorim armësh mes militantësh partiakë. Autori i ngjarjes është Skënder Balla, njeri i njohur nga policia lokale si person me precedentë kriminalë. Sipas drejtuesve të Policisë së Qarkut Durrës, ai po hetohet dhe për një tjetër krim të ndodhur para 6 vitesh. Ndërkaq, ditën e djeshme, disa orë pas plagosjes me automatik, për shkak të dëmtimeve të rënda në organe jetike ndërroi jetë në spitalin e Durrësit 25-vjeçari Artan Zeka, baba i tre fëmijëve. Tentativat për ta dërguar drejt një spitali italian me helikopter dështuan, për shkak të gjendjes së rëndë të tij. Ideali partiak në një zonë të banuar kryesisht nga banorë me origjinë nga Kosova dhe të njohur për mbështetjen e gjerë të Partisë Demokratike ka marrë emrin e një sherri banal që ka nisur si reagim i ashpër i viktimës ndaj vendosjes së materialeve promovuese politike të PS-së nga ana e autorit, për t‘u mbyllur me vdekjen e njërit prej tyre. Sherri me fjalë fyese për bindjet politike dhe vendosjet e posterave dhe flamujve partiakë para një lokali në qendër të fshatit Qerret është komentuar në mënyra të ndryshme nga dëshmitarët dhe palët politike. Ata që kanë shkuar në këtë fshat, e dinë se situata në të është e errët për forcat e majta dhe simpatizantët e tyre. Dega lokale e PD-së menjëherë tha se Zeka u qëllua me automatik nga një simpatizant i Partisë Socialiste, ndërsa po vendoste flamuj dhe postera të partisë pranë një lokali në fshatin e tij Qerret. Mes viktimës dhe autorit ka pasur një sherr me fjalë fyese për bindje politike pak çaste para krimit. Më pas, Skënder Balla, në gjaknxehtësi e sipër dhe i fyer është larguar për t‘u rikthyer me një armë automatike dhe ka qëlluar në drejtim të Artan Zekës, duke e plagosur rëndë atë. Burime spitalore thanë se i dëmtuari menjëherë u fut në sallën e operacionit për t‘iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, së cilës nuk ka mundur t‘i mbijetojë. Veprimet e shpejta të shërbimeve të policisë së Komisariatit të Shijakut çuan në prangosjen e 45-vjeçarit Balla rreth 10 minuta pas krimit, ndërsa ngjarja pas sqarimeve të para ka shkaktuar furtunë mes dy kampeve politike.

Kandidati për deputet i PD-së në Qarkun e Durrësit, Ferdinand Xhaferri, ndërsa shkoi menjëherë në spital për të vizituar Zekën, e cilësoi ngjarjen si një rast të paprecedent dhe si goditje të strukturave socialiste ndaj PD-së; një ngjarje që është tregues i mentalitetit të politikës së majtë shqiptare.

"Zeka u plagos me automatik në bark, teksa po vendoste në mënyrë paqësore flamujt dhe posterat e Partisë Demokratike pranë një lokali në fshatin e tij Qerret", tha Xhaferri, ndërsa vlerësoi ndërhyrjen e shpejtë të policisë për kapjen e autorit, që ai e përcaktoi si aktivist të PS-së.

Qëndrimi

Policia: Vrasje me

motive politike

Policia e Durrësit ka deklaruar menjëherë se ngjarja e ndodhur në Qerret kishte motive politike. Në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, thuhej se "të premten, rreth orës 09:00, në fshatin Qerret, Sukth, është plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi Artan Zeka, 25 vjeç, simpatizant i Partisë Demokratike, lindur e banues në Qerret". Policia sqaronte më tej se "ngjarja ka ndodhur në qendër të fshatit, në afërsi të një lokali, ku i dëmtuari dhe autori janë konfliktuar me njëri-tjetrin për simbolet e subjekteve elektorale. Më pas autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Skënder Balla, simpatizant i Partisë Socialiste, 45 vjeç, është larguar për t‘u rikthyer me një armë automatike dhe ka gjuajtur në drejtim të shtetasit Artan Zeka, duke e plagosur rëndë. Ky i fundit më pas ka gjetur vdekjen në spitalin e qytetit të Durrësit".

Berisha e Rama dënojnë aktin kriminal

Kryeministri: Ruani gjakftohtësinë. Rama: Ngjarja nuk ka lidhje me PS

Krerët e partive politike kryesore në Shqipëri reaguan menjëherë dje pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Durrës, ku humbi jetën një 25-vjeçar. Si Kryeministri Sali Berisha, edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, bënë thirrje për zhvillimin e një fushate elektorale larg përplasjeve dhe incidenteve. Të dy liderët theksuan nevojën për vetëpërmbajtje dhe kërkuan njëzëri dënimin maksimal të autorit të ngjarjes. Përtej agresivitetit të fushatës elektorale, dy kampet kryesore gjejnë rastin të bëjnë thirrje për gjakftohtësi.

Berisha

Kryeministri Berisha u bëri thirrje të gjithë anëtarëve dhe militantëve të partive politike të distancohen nga aktet kriminale dhe të përkushtohen në një fushatë zgjedhore të denjë për njerëz të lirë. Mesazhi i Kryeministrit Berisha erdhi menjëherë pas incidentit në Durrës, ku humbi jetën aktivisti i PD-së, Artan Zeka. Kryeministri Sali Berisha i shprehu ngushëllimet më të thella familjes së 25-vjeçarit Artan Zeka, babait të tre fëmijëve, që humbi tragjikisht jetën në Durrës. Kreu i qeverisë, në mesazhin e ngushëllimit, deklaroi se "i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Artan Zekës që humbi jetën tragjikisht nga një dorë kriminale. Lutjet e mia dhe të gjithë shqiptarëve shkojnë për shpirtin e të ndjerit dhe familjes së tij". Kryeministri Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen teksa kërkoi me forcë zbatimin e plotë të ligjit mbi autorin e këtij akti kriminal. Kryeministri u bëri thirrje edhe të gjithë aktivistëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike të mbajnë një minutë heshtje në tubimet e tyre për humbjen e demokratit Artan Zeka.

Rama

Menjëherë pasi është vënë në dijeni për ngjarjen reagoi edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai shprehu ngushëllimet për familjen e Artan Zekës, duke u distancuar nga ngjarja. Kreu i PS-së u shpreh se kërkohet dënimi maksimal i autorit dhe se është një spekulim përfshirja e emrit të kësaj partie në vendngjarje. Rama u shpreh se ballafaqimi në një fushatë elektorale duhet të zhvillohet në mënyrë qytetare, ashtu siç duhet për një vend si Shqipëria që është pjesë e Europës dhe dëshiron të integrohet në Bashkimin Europian. "I shpreh keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, për këtë ngjarje tragjike, që është ndodhi për botën e tretë dhe jo për një vend që është pjesë e Europës dhe do të integrohet në BE, siç është Shqipëria, ku politika duhet të jetë një hapësirë, ku ballafaqimi zhvillohet në mënyrë qytetare dhe ku për shkak të ideve të ndryshme, nuk ka absolutisht asnjë arsye për të cenuar dinjitetin e njëri-tjetrit, e jo më integritetin fizik të personit", nënvizoi Rama. Njëkohësisht ai kërkoi dënimin maksimal të autorit, duke nënvizuar me forcë, se nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste dhe se përfshirja e emrit të Partisë Socialiste në këtë ngjarje, është një spekulim i ulët që e refuzon me përbuzje.

Bregu deklaroi dje vendimin e drejtuesve demokratë

PD ndërpret fushatën

në Durrës për 24 orë

Partia Demokratike i kërkoi degës së saj në Qarkun e Durrësit të ndërpresë për 24 orë fushatën elektorale. Shkak për këtë shkëputje u bë incidenti i mëngjesit të djeshëm në Durrës, ku mbeti i vrarë aktivisti i Partisë Demokratike, Artan Zeka.

Zëdhënësja e fushatës, Majlinda Bregu, bëri me dije se ndërprerja e fushatës në Durrës vjen si shenjë nderimi për aktivistin e vrarë të Partisë Demokratike, Artan Zeka. "Partia Demokratike, duke i shprehur familjes ngushëllimet, dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për veprimtarin e saj të çmuar, dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal dhe prapavijën e tij me lidhje të sigurta me krimin e shëmtuar", u shpreh Bregu. Zëdhënësja e fushatës sqaroi se "Partia Demokratike kërkon dënimin maksimal për autorin e këtij krimi, por dhe frymëzuesit e tij, bos mafiozë që garojnë për të mbrojtur interesat mafioze të tyre. PD i kërkon Edi Ramës të distancohet dhe të dënojë aktin e kryer nga segmente të krimit të partisë së tij në Durrës. PD i kërkon të gjithë liderëve të partive politike të distancohen nga akte të tilla kriminale". Selia blu u bëri thirrje të gjithë militantëve dhe aktivistëve të saj të shmangin çdo lloj teprimi dhe konflikti dhe të ecin të sigurt se 28 qershori do të jetë ndëshkimi madhor për krimin dhe frymëzuesit e tij. Deputeti i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferri, reagoi lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Qerret të Durrësit, ku u plagos rëndë me armë zjarri shtetasi Artan Zeka, banor i këtij fshati. "Artan Zeka është plagosur rëndë me automatik vetëm sepse po vendoste në mënyrë paqësore flamurët dhe posterat e Partisë Demokratike pranë një lokali në fshatin e tij Qerret. Ngjarja është mjaft e rëndë dhe gjithashtu tregues i mentalitetit të krahut të majtë të politikës shqiptare, të cilët vazhdojnë të përdorin metodat e baballarëve të tyre. Ligji do të veprojë me forcë për ngjarje të tilla", theksoi Xhaferri.

Një tjetër reagim i menjëhershëm lidhur me këtë ngjarje ishte ai i prefektit të Qarkut të Durrësit Klodian Pajuni, i cili dënoi akte të tilla kriminale që jo vetëm trondisin klimën paraelektorale, por njollosin imazhin e gjithë shqiptarëve.

"Dje në orën 8:00 të mëngjesit, një dorë kriminale e ushqyer nga intoleranca dhe urrejtja, goditi për vdekje veprimtarin e Partisë Demokratike, babain e tre fëmijëve, 25-vjeçarin Artan Zeka. Ky është një akt kriminal i shëmtuar që godet jo vetëm një aktivist të Partisë Demokratike dhe familjen Zeka, por të gjithë shqiptarët që kanë sot një përkushtim të madh për një proces të ndershëm zgjedhor", thuhet në komunikimin për shtyp të Partisë Demokratike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›