E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Fletët e votimit? Rama ti drejtohet Kushtetueses

Deputeti demokrat: Sjellja e Ramës gjatë 10 muajve të fundit na e bëri më të lehtë garën për Tiranën

Edi Rama, nëse kërkon hapjen e kutive të votimit, duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe kjo gjykatë mund t’i marrë edhe këshillë Komisionit të Venecias në lidhje me këtë çështje. Ky ishte qëndrimi që shprehu dje në një intervistë për “Shqip” deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Sipas tij, kthimi nga ana e kësaj gjykate i 22 ligjeve të mazhorancës tregon qartë se ajo është e pavarur nga shumica qeverisëse dhe është një garanci për shqyrtimin e kërkesës së opozitës. Në këtë kuadër, Bumçi thekson se mazhoranca është e hapur të zbatojë çdo vendim të gjyqësorit në lidhje me vendimin për kutitë e votimit. Bumçi, i cili mban edhe detyrën e kryetarit të PD-së për degën e Tiranës, flet edhe për fushatën elektorale që mazhoranca pritet të nisë në kryeqytet në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Sipas tij, Rama si kryebashkiak, me vendimet që ka marrë për Tiranën, ka treguar se është vetëm kryetar “de jure” dhe se faktikisht nuk ka asnjë lidhje me bashkinë më të madhe në vend. Kjo sipas Bumçit ia ka bërë më të lehtë punën PD-së për zgjedhjet lokale të pranverës së vitit 2011. Nga ana tjetër, PD pritet të zgjedhë fillimisht kandidaturën e saj për këtë bashki dhe më pas të nisë intensivisht fushatën zgjedhore, duke qenë se zgjedhjet lokale ia imponojnë këtë mënyrë veprimi.

Z.Bumçi, si e shikoni situatën aktuale politike në vend, kur opozita është kthyer në Kuvend dhe negociatat për transparencën e zgjedhjeve po zhvillohen nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve?

Dhënia fund e grevës së urisë dhe rikthimi i opozitës në Kuvend janë zhvillime shumë pozitive, që ne i mirëpresim dhe i përshëndesim. Kuvendi është shtëpia e opozitës po aq sa është dhe e jona, dhe mendoj se nuk ka shesh apo rrugë të Shqipërisë që të ketë më shumë peshë sesa prania e 64 deputetëve të opozitës në Kuvend. Shpresoj dhe kam dëshirë të besoj se Partia Socialiste i është kthyer jetës parlamentare në mënyrë të plotë dhe se kapitullit të bojkotit, aksioneve politike jashtë Kuvendit, grevave të urisë dhe bllokimit të rrugëve t’i jetë dhënë fund si një periudhë aspak e lavdishme, për të thënë më të paktën, periudhë të cilën dhe ata vetë do të përpiqen ta harrojnë dhe minimizojnë me kalimin e kohës. Në lidhje me negociatat për transparencën e zgjedhjeve, mund të them se ne kemi qenë gjithmonë të hapur për negociata dhe se e gjithë kjo histori 9-mujore nuk është zhvilluar jashtë vëmendjes së ndërkombëtarëve. Kemi një serë rezolutash në lidhje me ngërçin politik të krijuar në vend: rezolutën e Parlamentit Europian, rezolutën e Këshillit të Europës, deklaratën e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-s, qëndrimin e Komisionit Europian të shprehur nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule etj. Pra vëmendja ndërkombëtare ka qenë gjithmonë e pranishme. Të gjitha këto qëndrime kanë një emërues të përbashkët: është kërkuar në mënyrë të qartë t’i jepte fund bojkotit, dhe që transparenca kuptohet dhe mund të përmbushet vetëm në respekt të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve. Kryeministri Berisha, përveç takimit të fundit, është ulur dy herë me kryetarin e opozitës, z. Rama, në tryezën e organizuar nga Presidenti i Republikës, dhe herën e dytë dhe në prani të Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës, si tregues i qartë i vullnetit tonë.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ndërkaq thekson se PS-ja nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për hapjen e kutive dhe se tashmë është më afër se kurrë këtij zhvillimi. Si e shikoni këtë deklaratë?

Përgjigjja jonë në fakt është shumë e thjeshtë: ne respektojmë çdo vendim që gjykata do të marrë për çështjen në fjalë. Për gjithçka që nuk shkel Kushtetutën, ne jemi të gatshëm të fillojmë punë që tani. Për çështjen e rinumërimit të fletëve të votimit, ne gjykojmë se është në shkelje të Kushtetutës për një sërë arsyesh, megjithatë z. Rama mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të marrë dhe këshillën miqësore të Komisionit të Venecias, dhe ne do të respektojmë çdo vendim që gjykata do të marrë. është shumë e vështirë të kuptosh se pse z. Rama nuk ju drejtua gjykatës që në fillim dhe kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë. Partia Socialiste nuk është lodhur duke përmendur dhe rreshtuar të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, rreth 22 të tilla, kundër ligjeve të miratuara nga shumica, çfarë në fakt ka treguar pavarësinë e Gjykatës nga shumica qeverisëse. Në fillim të këtij mandati të dytë, z. Rama ju drejtua Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, dhe në mënyrë të habitshme nuk ju drejtua për çështjen e rinumërimit të fletëve të votimit. Ne kemi të gjithë vullnetin për zgjidhjen e ngërçit dhe për transparencë maksimale, por gjithçka duhet të bëhet duke ju referuar Kushtetutës, institucioneve demokratike dhe gjykatave, për të përsëritur një shprehje të Komisionerit Stefan Fule.

Tashmë që situata politike është më e normalizuar në vend, cilat janë përgatitjet që po bëhen në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale në bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës?

Përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore për Bashkinë e Tiranës kërkojnë disa faza, duke nisur që nga vëmendja që duhet t’u kushtohet strukturave të partisë, kontaktit të vazhdueshëm me qytetarët, shpalosjes së vizionit tonë për qytetin e Tiranës etj. Por më duhet të shtoj se sjellja e z. Rama gjatë kësaj kohe na i ka bërë gjërat më të lehta. Qytetarët e Tiranës janë tashmë të vetëdijshëm që Bashkia e Tiranës “de facto” nuk ka kryetar. Z.Rama ka kohë që e ka bojkotuar qytetin për shkak të angazhimeve të tij si kryetar i partisë. Me sjelljen e tij politike gjatë këtyre 9 muajve, z. Rama në mënyrë përfundimtare ka humbur një pjesë të qytetarëve të Tiranës. Me radikalizimin dhe tensionimin e situatës ai ka unifikuar radhët e militantëve, por ka humbur ata qytetarë të cilët nuk kanë një përcaktim të fortë politik dhe deri dje mund të ishin gënjyer nga ‘fasadat’ dhe retorika e tij që ishte përtej së majtës dhe së djathtës, që ishte për një politikë të re e të tjera deklarata si këto. Qytetarët e Tiranës panë sesi në momentin kur vendi pret liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian, dhe përgjigjen e aplikimit për anëtarësim në BE, për marrjen e statusit të vendit kandidat, z. Rama në mënyrë artificiale u mundua ta tensiononte situatën, duke ndërmarrë aksione politike që dhe vetë deputetët e Partisë Socialiste po të ishin pyetur në shtator, nuk do ta kishin besuar që bojkoti i tyre do të arrinte deri te greva e urisë dhe bllokimi i rrugëve kombëtare, pavarësisht qëndrimit të qartë të BE-së dhe SHBA-së kundër bojkotit dhe grevës së urisë. Qytetarët e Tiranës panë se si kryetari i bashkisë bëri eksperiment me qytetin, kur për pak orë bllokoi vetëm pjesërisht sheshin “Skënderbej” dhe se çfarë kaosi u krijua në qarkullimin rrugor në qytet. Dhe këmbëngul se do ta bllokojë të gjithë sheshin, pa i dhënë një zgjidhje trafikut. Te gjitha këto e lehtësojnë përgatitjen tonë për zgjedhjet lokale.

A po mendohet për përzgjedhjen e një kandidati dhe cilat janë kriteret që kjo kandidaturë duhet të plotësojë për të garuar në emër të mazhorancës në kryeqytet?

Përzgjedhja e kandidatit përbën një nga momentet më të rëndësishme, në mos më i rëndësishmi i përgatitjes për fushatën zgjedhore. Për shkak të specifikës që kanë zgjedhjet vendore nga ato politike, mund të themi që fushata fillon me përzgjedhjen e kandidatit. Duke qenë se zgjedhjet do të mbahen pranverën e ardhshme, distanca kohore ka bërë që kjo çështje të shtyhet për më vonë. Tirana është kryeqendra e vendit në të gjitha kuptimet dhe mazhoranca do t’u ofrojë qytetarëve të Tiranës kandidaturën me të përzgjedhur. Kandidaturë e cila do të mishërojë të gjitha vlerat qytetare, që ngjall shpresë dhe krijon besim se ky qytet mund të bëhet më njerëzor dhe më i jetueshëm.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›