Paloka replikon ashpër me Tahirin dhe Ligorin
Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të çështjeve Ligjore është vënë re një tension i lartë mes anëtarëve të tij, përkatësisht përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Edhe pse një ditë më parë vinin nga një seancë e tensionuar, e cila u është afruar përplasjeve fizike, edhe në mbledhjen e djeshme ka pasur batuta të ashpra dhe replika të forta mes deputetëve të PD-së dhe të PS-së. Kjo është vënë re që në pyetjet ndaj Kryeprokurores Ina Rama, ku palët kanë prekur çështje ku akuzohen si PD-ja, ashtu edhe PS-ja. Por tensioni është rritur dalëngadalë, duke arritur kulmin afër fundit të mbledhjes. Një batutë e deputetit, Edi Paloka, është shoqëruar me replika nga ana e socialistëve. Paloka me shpoti u ka thënë që “prisni një sms nga kryetari që të largoheni?”. Në atë moment, deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, i është përgjigjur se “ju merrni urdhra nga kryetari juaj”, por Paloka nuk e la me kaq replikën, duke iu kundërpërgjigjur. Në atë çast ndërhyn deputetja socialiste, Shega Ligori, duke i thënë se “të jesh burrë, flet kur janë kamerat”. Paloka sërish nuk është tërhequr, duke i thënë parlamentares së PS-së se “nuk jam më burrë sesa ti”.
#