E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesverbali, si u shkarkua Hysenaj



ADI SHKEMBI

Komisioni i Shërbimit Civil shkarkoi kryetaren Mimoza Hysenaj, pasi tre komisionerët Shahin Bistri, Kostandin Kazanxhi dhe Saimir Mani deklaruan votën publikisht në mbledhjen e tij. Gazeta zbardh sot të plotë procesverbalin e ribërë nga tre anëtarët e komisionit, për shkak se sipas tyre procesverbali origjinal u zhduk nga kryetarja në momentin që ajo doli nga mbledhja.
Procesverbali
Mbledhja e zhvilluar në 5 mars nisi fillimisht me deklarimin e rendit të ditës nga kryetarja Hysenaj. Sipas saj, në rend ishin parashikuar 14 çështje dëgjimore. “Hapim seancën e sotme e cila përbëhet nga 14 çështje dëgjimore, prandaj mendoj të fillojmë me to pa humbur kohë dhe pastaj vazhdojmë me problemet tona”, tha kryetarja e shkarkuar. Por menjëherë pas saj mori fjalën anëtari Saimir Mani, i cili akuzoi Hysenajn se i ka prerë pagën për një mbledhje, e cila ishte shtyrë për një ditë më vonë. “Ne treguam tolerancën dhe frymën e bashkëpunimit por vetë kjo kryetare, me paturpësinë më të madhe, më fut poshtë derës një shkresë ku më pret pagën për mbledhjen e datës 18, ndërkohë që po kjo kryetare ka nisur njoftimin për ta zhvilluar po këtë mbledhje në datë 19”, tha Mani. Në të njëjtën kohë ai propozoi në mbledhjen e KSHC-së shkarkimin e kryetares. “Ne kemi të drejtë të zgjidhim vetë problemet brenda institucionit, prandaj unë sot deklaroj: votën time për shkarkimin nga kryetare e KSHC-së, të Mimoza Hysenajt. Kjo është e vetmja zgjidhje për problemet tona, në mënyrë që të shkojmë me një pamje tjetër në Kuvend këtë radhë. Kërkoj të shpreheni me votë dhe ju”, tha më tej anëtari Saimir Mani. Pas tij, në këtë mbledhje ka folur anëtari Kostandin Kazanxhi, sipas të cilit të gjitha mbledhjet e Komisionit fillojnë pa zbatuar hapat procedurale. “Ka ardhur një moment që unë nuk di si të veproj më. E ndjej veten të nëpërkëmbur dhe nuk di si ta ushtroj më votën që më është besuar. Vota i ndan gjërat. Më erdhi mirë që u miratua raporti, por njëkohësisht na priten rrogat pa asnjë moral e jo me ligjshmëri. Prandaj unë e shoh të arsyeshme zgjidhjen e z. Mani, pra dhe unë deklaroj: pro votën time për shkarkimin e znj. Hysenaj nga pozicioni i kryetares së KSHC dhe kalimin e saj në anëtare të tij, me mandatin e dhënë nga Kuvendi”, është shprehur Kazanxhi. Më pas, teksa Bistri i ka kërkuar kryetares Hysenaj që të deklarojë qëndrimin e saj, kjo e fundit ka kërkuar që edhe anëtari i fundit të flasë lidhur me këtë propozim. Bistri ka qenë në të njëjtën linjë me dy komisionerët e tjerë ku ka përmendur disa nga shkeljet e kryetares në seancat paraardhëse. “Ne jemi më të vjetrit këtu dhe ti të na shpërfillësh në këtë mënyrë? Ne jemi këtu dhe na pret rrogën? Po fjalët e mia pse nuk pasqyrohen? Po çfarë jam unë këtu? Të dëgjoj e të rri si sustë për ty? Po jo moj zonjë se nuk bëhen kështu punët e administratës. Rregullorja është në fuqi dhe ti nuk e zbaton”, është shprehur Shahin Bistri, i cili në të njëjtën kohë ka shprehur qëndrimin pro shkarkimit. Pas deklarimit të komisionerëve është zhvilluar votimi ku me tre votat pro, Hysenaj është shkarkuar. Më pas ajo kërkoi 5 minuta pushim dhe sipas anëtarëve gjysmë ore më vonë kur nisi sërish mbledhja Hysenaj nuk erdhi, ndërkohë që Kazanxhi u zgjodh nënkryetar. Por ndërsa KSHC-ja ka zgjedhur nënkryetarin, prej më shumë se një viti Parlamenti nuk zgjedh komisionerin e pestë. Ish anëtarja e këtij komisioni, Vera Shtjefni u zgjodh anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mungesa e opozitës në Kuvend duket se ka çuar në bllokimin e zëvendësimit të saj, për shkak se zgjedhja e një anëtari kërkon 84 vota.

Teksti i plotë i procesverbalit

Procesverbal

I mbajtur sot në datë 05.03.2010, pranë selisë së KSHC, sipas rendit të ditës dhe me këtë përbërje:
Kryetare: Mimoza Hysenaj
Anëtar: Kostandin Kazanxhi
Anëtar: Saimir Mani
Anëtar: Shahin Bistri
I pranishëm Z. Sokol Tahiraj (Shef kabineti)

Znj. Mimoza: Hapim seancën e sotme e cila përbëhet nga 14 çështje dëgjimore, prandaj mendoj të fillojmë me to pa humbur kohë dhe pastaj vazhdojmë me problemet tona.
Z. Mani: Për të realizuar atë detyrim që kemi, ne kemi rregulluar sipas rregullores të futet në rend dite, urgjent, çështja për zgjidhjen e problemeve të brendshme. Pra me këtë kërkesë, këta komisionerë kërkojnë të sheshojnë mosmarrëveshjet. Për këtë, unë edhe pse jam deklaruar se nuk do të marr pjesë sepse ka paligjshmëri, erdha në miratimin e raportit për të normalizuar çështjen. Jo se isha dakord me atë raport, sepse në të për mbikëqyrjen flitej më tepër, raportet e të cilave akoma nuk janë miratuar. Ne treguam tolerancën dhe frymën e bashkëpunimit, por vetë kjo kryetare me paturpësinë më të madhe më fut poshtë derës një shkresë ku më pret pagën për mbledhjen e datës 18, ndërkohë që po kjo kryetare ka nisur njoftimin për ta zhvilluar po këtë mbledhje në datë 19. Në këto kushte, unë i kam dërguar njoftim të gjitha instancave përkatëse për këtë gjendje. Përfundimisht, unë skam besim se ti, mund të ndryshosh qëndrime dhe mendime. Ti nuk mund të thërrasësh asnjë ankues, përderisa ne kemi akoma rreth 80 dosje nga 2009 që s’i japim drejtim. Shpesh kemi kërkuar që të reflektohet dhe kemi ardhur në mbledhje por nuk është bërë gjë, dje nuk erdha dhe përsëri nuk u bë mbledhja. Unë jam këtu me mandate nga Parlamenti. Ne kemi të drejtë të zgjidhim vetë problemet brenda institucionit, prandaj unë sot deklaroj: votën time për shkarkimin nga kryetare e KSHC-së, të Mimoza Hysenajt. Kjo është e vetmja zgjidhje për problemet tona, në mënyrë që të shkojmë me një pamje tjetër në Kuvend këtë radhë. Kërkoj të shpreheni me votë dhe ju. Faleminderit.
Z. Kazanxhi: Ishte një diskutim i gjatë dhe që bën të reflektojmë. Më vjen shumë çudi që çdo mbledhje fillon pa u zbatuar asnjë hap procedural. Ka ardhur një moment që unë nuk di si të veproj më. E ndjej veten të nëpërkëmbur dhe nuk di si ta ushtroj më votën që më është besuar. Vota i ndan gjërat. Më erdhi mirë që u miratua raporti, por njëkohësisht na priten rrogat pa asnjë moral e jo me ligjshmëri. Prandaj unë e shoh të arsyeshme zgjidhjen e z. Mani, pra dhe unë deklaroj: pro votën time për shkarkimin e znj. Hysenaj nga pozicioni i kryetares së KSHC dhe kalimin e saj në anëtare të tij, me mandatin e dhënë nga Kuvendi.
Z. Bistri: Do thoni gjë ju?
Znj. Hysenaj: Vazhdo dhe ti se unë flas në fund.
Z. Bistri: Në fakt këto kërkesa të janë bërë prej kohësh nga të gjithë ne. Zyrtarisht të erdhi një kërkesë nga dy kolegë dhe ju e shpërfillët atë. Ju bëra thirrje që ta shikonit me përparësi atë kërkesë dhe të ishit më tolerantë e ta shikonit sa më parë por ti nuk doje, madje the se pas 3 muajsh do e shikojmë. Me sa i kam parë unë kërkesat e kolegëve, ato janë të gjitha në interes të zgjidhjes së konflikteve ndaj ti duhet t’i shqyrtoje ato patjetër. Ne jemi më të vjetrit këtu dhe ti të na shpërfillësh në këtë mënyrë? Ne jemi këtu dhe na pret rrogën? Po fjalët e mia pse nuk pasqyrohen? Po çfarë jam unë këtu? Të dëgjoj e të rri si sustë për ty? Po jo moj zonjë, se nuk bëhen kështu punët e administratës. Rregullorja është në fuqi dhe ti nuk e zbaton. Për të gjitha këto arsye dhe të gjitha deklaratat e mia, duke u nisur dhe nga neglizhenca e kryetares, unë i qëndroj korrekt letrës së çuar në Kuvend dhe jam dakord me propozimin e dy kolegëve për shkarkimin tuaj sepse ti nuk do ta bësh këtë punë dhe nuk i di rregullat e administratës. Fryma juaj stonon me kohën në të cilën jetojmë.
Znj. Hysenaj: Kryetarja ka thirrur këtë mbledhje me një rend dite të përcaktuar.
Z. Bistri: Ke thirrur, por me kërkesën e 3 komisionerëve propozohet dhe votohet për çështje të reja. Kështu kemi bërë edhe më përpara. Roland Përmeti ka thënë: “me propozim të znj. Mimoza... etj, etj”.
Znj. Mimoza: Ju i thatë çfarë kishit dhe nuk më lini të flas dhe unë. 5 minuta pushim të qetësoheni...

Mbajti procesverbalin
Aurora Topçiu
Firma

Shënim: Pasi ka folur komisioneri Shahin Bistri, ku ka deklaruar votën pro shkarkimit, është hedhur propozimi në votim dhe 3 anëtarët kanë votuar pro. Në fund të mbledhjes, pasi kryetarja e KSHC-së ka kërkuar 5 minuta pushim, 30 minuta më vonë, është zhvilluar mbledhja tjetër ku Hysenaj nuk ka marrë pjesë dhe është zgjedhur nënkryetar Kostandin Kazanxhi.

Hysenaj, kallëzim penal në Prokurori

Kryetarja e Komisionit të Shërbimit Civil, Mimoza Hysenaj depozitoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj tre anëtarëve të këtij komisioni për shkelje të rëndë të detyrës. Shkak për këtë akuzë është bërë rrëmbimi i vulës së institucionit nga Shahin Bistri, Kostandin Kazanxhi dhe Sajmir Mane, dhe përdorimi i saj prej tyre. Nga ana e saj Prokuroria e Përgjithshme pritet që t’i kërkojë komisionit të mandateve të Kuvendit të Shqipërisë lejimin e hetimit të kësaj çështje për tre anëtarët e KSHC. Gjithashtu kryetarja e këtij komisioni i është drejtuar dhe kryetares së Parlamentit, si i vetmi institucionin që shqyrton mosmarrëveshjet në institucionet që zgjidhen prej tij. Komisioni i ligjeve ka caktuar deputeten demokrate, Arenca Trashani si relatore të tij për problemet e krijuara në Komisionin e Shërbimit Civil.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›