E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mandatet e PS, zëvendësim sipas Kodit”

 

BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm të shqyrtojë ndërprerjen e mandatit të deputetëve, menjëherë pasi një gjë e tillë do të kërkohet nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
Pas deklaratës së kryeparlamentares Jozefina Topalli se do t’i drejtohet KQZ-së, pas 6 muajve të mbarimit të mandatit të deputetëve socialistë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani në një prononcim për “TV Klan”, u shpreh se: “Institucioni i KQZ do të veprojë ashtu siç e parashikon ligji”. Ristani shprehet se nëse rast se këshilli i Legjislacionit pranë Kuvendit bën kërkesë për të vepruar mbi mandatet e deputetëve të PS-së, KQZ-ja do të orientohet në zgjidhjen e kësaj çështjeje në nenin 164 të Kodit Zgjedhor. Në këtë dispozitë ligjore parashikohet vetëm në ato raste kur humbet vetëm mandati i një deputeti dhe jo i të gjithë grupit parlamentar. Në të përcaktohet se deputetit që i humb mandati zëvendësohet me pasardhësin e listës shumemërore të paraqitura nga ana e subjektit politik fitues apo e koalicionit fitues. Neni 164 i Kodit i referohet nenit 71, pika 2 të Kushtetutës, i cili parashikon rastet kur mbaron mandati i deputetit. Sipas kësaj dispozite mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: “a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe  3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;d)   kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”. Neni 164 i Kodit thekson se në rastet e pikës a) dhe b) të nenit 71, pika 2, 1 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Nëse deputeti i mandatuar nga KQZ-ja nuk paraqet në Kuvend për të bërë betimin atëherë zëvendësohet me pasardhësin e listës. Një procedurë e tillë zgjat deri në shterimin e listës së partisë politike fituese, së cilës i takon mandati i deputetëve sipas qarqeve zgjedhore. Kodi Zgjedhor ka parashikuar në të njëjtën kohë mënyrën se si veprohet në rast se shteron lista e deputetëve. Në një situatë të tillë mandatet e humbura të PS-së do t’i marrin aleatët e saj të koalicionit zgjedhor. “Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”, thuhet në pikën 3 të nenit 164.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›