E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupimi “Dhjetor 90”: Gramos Ruçi kërcënon ende



Grupimi “Dhjetor 90” i drejtuar nga Bislim Ahmetaj, reagoi dje pas deklaratave të ish-ministrit të Brendshëm Gramoz Ruçi për ngjarjet e 2 prillit në Shkodër, ku u vranë 4 të rinj. Në këtë deklaratë për mediat, grupimi “Dhjetor 90” tha se Gramoz Ruçi tregoi se është ende pjesë e së kaluarës më të frikshme të Partisë së Punës. “Sot, pas 18 vitesh, me keqardhje ne konstatojmë se ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe vazhdon jo vetëm të jetë njëri prej drejtuesve kryesorë të partisë se Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit, trashëgimtar i Partisë së Punës, por edhe ka kurajon dhe kërcënon përmes deklaratash të papërgjegjshme. Para disa ditësh Gramoz Ruçi kërcënonte para kamerave “I bëj thirrje Partisë Demokratike të mos luajë me zjarrin” pas zjarrit të përmendur Ruçi dhe të tijët kujtojnë ndoshta 2 prillin e ’91-shit apo mars-qershorin e ’97-s”, - deklaroi grupimi “Dhjetor 90”.

Njëkohësisht grupimi “Dhjetor 90” deklaroi se Gramoz Ruçi duhet të largohet nga politika dhe kërkoi nga qytetarët të mos e votojnë atë. Ai dhe të tijët duhet ta fshijnë nga memoria një herë e përgjithmonë mundësinë e përdorimit të zjarrit kundër njerëzve që mbrojnë lirinë dhe derivatet e saj. Tani jetojmë në një kohë ku sundon ligji dhe vendos vota e lirë e qytetarëve të këtij vendi. Fjalori i vjetruar u zotit Ruçi i ngjet një breshërie kallashnikovi që kollitet në malet e Afganistanit ku fshihen talebanët dhe njerëzit që ndajnë mendime të përafërta me ta si zotëria në fjalë”, - thuhet në deklaratë. Grupimi “Dhjetor 90” tha më tej se ngjarja e 2 prillit nuk duhet të harrohet. “2 prilli i vitit 1991 regjistron dëshpërimin e thellë të komunistëve shqiptarë të cilët, të detyruar nga lëvizja studentore e dhjetorit ‘90, lëvizje që çoi në legalizimin e pluralizmin politik në vend, të shtrënguar nga komuniteti ndërkombëtar, jashtë çdo vullneti politik, në kundërshtim të plotë me formimin dhe filozofinë diktatoriale me të cilën ishin mësuar të qeverisnin, panë me sytë e tyre se pushteti i votës së lirë ishte më i fortë se armët e diktaturës”, - deklaroi ky grupim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›