“Tema R”, urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës
Gazeta kosovare e përjavshme, informative dhe e pavarur, “Tema R”, e cila prej 4 vitesh botohet në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, do të hyjë dhe në tregun mediatik shqiptar, si një urë lidhëse midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e informacionit. Në mjediset e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), u prezantua dje në prani të përfaqësuesve të medias, e përjavshmja kosovare me botues Faruk Nura, i cili u shpreh se "kjo do të jetë gazeta e gjithë shqiptarëve, sepse pasqyron të gjitha trevat shqiptare”. Gazetari i ATSH-së, Vasil Tabaku, tha se "kjo gazetë do të sjellë edhe për publikun shqiptar informacione të ndryshme politike, ekomomike dhe sociale, nga Kosova". ATSH-ja e organizoi këtë aktivitet në kuadër të nismës që ka ndërmarrë për prezantimin dhe promovimin e aktiviteteve dhe veprave letrare, artistike dhe mediatike.