E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia: Në 2009-n, Shqipëria bashkohet me NATO-n

Çekia, vendi që do të marrë Presidencën e radhës së BE-së, shpreh bindjen e plotë se Shqipëria në vitin 2009 do t’i bashkohet Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO-s. Kjo i është bërë e ditur kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, nga homologu i saj çek, Miloslav Vlcek, përmes një letre nga ku i konfirmon ratifikimin e shpejtë të Protokollit të NATO-s, për Shqipërinë dhe Kroacinë. Çekia shpreh bindjen se pranimi i të dy vendeve në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë e Evropës Juglindore. Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, në letrën dërguar kryetares Topalli, kryetari i Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlcek, siguron se "Çekia e mbështet plotësisht dëshirën e Shqipërisë për t’u bashkuar me NATO-n në pranverën e 2009-ës". Pas Francës, vendi që ka aktualisht Presidencën e BE-së, tashmë Çekia i është përgjigjur pozitivisht letrës së përbashkët të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç. Pas dërgimit të kësaj letre, drejtuar të gjithë parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, për përshpejtim të ratifikimit të Protokollit të NATO-s, vendet anëtare kanë nisur menjëherë të japin konfirmimin për ratifikim të këtyre protokolleve dhe njëkohësisht të shprehin mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, në samitin e ardhshëm në prill 2009. Në letrën e tij dërguar znj. Topalli, kryetari i Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlcek, shkruan: “Ne mirëpresim faktin që Protokollet e Zgjerimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për Kroacinë dhe Shqipërinë janë nënshkruar. Dëshiroj t’ju siguroj edhe një herë se, unë dhe kolegët e mi në Republikën Çeke e mbështesim plotësisht dëshirën tuaj për t’u bashkuar me NATO-n në pranverën e 2009-s. Parlamenti i Republikës Çeke pritet të përfundojë procesin e ratifikimit në fund të këtij viti”. Ne, - vijon letra e Vlcek, - i bashkohemi bindjes suaj se, pranimi i të dy vendeve tuaja në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë e Evropës Juglindore dhe ky qëllim përputhet edhe me prioritetet e Republikës Çeke. Kjo na motivon ne ta përkrahim edhe në të ardhmen, pranimin në NATO të të gjithë vendeve evropiane, me të cilat ndajmë vlera të përbashkëta dhe që janë të gatshme të kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë e kontinentit tonë”. Duke shprehur bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë do ndikojë në sigurinë e Evropës Juglindore, Vlcek falënderon znj. Topalli, për letrën e 10 korrikut 2008, teksa e përgëzon për përfundimin e suksesshëm të Bisedimeve të Pranimit. Ne, - shkruan ai, - mirëpresim faktin që Protokollet e Zgjerimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për Kroacinë dhe Shqipërinë janë nënshkruar. “Dëshiroj t’ju siguroj edhe një herë se, unë dhe kolegët e mi në Republikën Çeke e mbështesim plotësisht dëshirën tuaj për t’u bashkuar me NATO-n në Pranverën e 2009-s. Parlamenti i Republikës Çeke pritet të përfundojë procesin e ratifikimit në fund të këtij viti”, - shprehet kryetari i Kuvendit çek.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›