E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Faleminderit SHBA për mbështetjen anti-korrupsion

Qeveria amerikane siguron një tjetër mbështetje të fortë për qeverinë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Bordi i Sfidës së Mijëvjeçarit, në kuadër të programit të Pragut të Sfidave të Mijëvjeçarit, ka miratuar mbështetjen financiare prej 16.4 milionë dollarësh për 5 projekte të reja antikorrupsion. Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, pohoi se kjo mbështetje vjen pas përmbushjes me sukses të katër projekteve të fazës së parë: hapja e Qendrës së Biznesit “One Stop Shop”, Prokurimi Elektronik, Institucioni i Avokatit të Prokurimeve dhe projekti i Taksës Elektronike, për të cilat qeveria amerikane financoi 13.8 milionë dollarë, në vitet 2006-2008. Përmes znj. Bregu, qeveria shqiptare e garantoi dje qeverinë amerikane se ashtu si në fazën e parë edhe në këtë fazë të dytë, çdo dollar i taksapaguesve amerikanë do të respektohet nëpërmjet zbatimit me sukses të këtyre projekteve,

për zbatimin e të cilave do të kontribuojë me investimet e nevojshme infrastrukturore, burimet njerëzore dhe përshtatjen në kohë të legjislacionit. “Qeveria shqiptare falënderon qeverinë amerikane për mbështetjen që jep duke shprehur kështu besimin në seriozitetin e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të luftuar me zero tolerancë korrupsionin”, - u shpreh znj. Bregu. Sipas saj, fondi i ri, tashmë prej më shumë se 16 milionë dollarësh, i dhënë për fazën e dytë, për zbatim gjatë viteve 2008-2010, do të mbështesë pesë projekte të reja, të paraqitura nga qeveria shqiptare. Këto projekte kanë në fokus parandalimin e korrupsionit, rritjen e forcës zbuluese dhe hetuese të të gjitha institucioneve të forcimit të ligjit.

Projekti i parë është krijimi i Gjykatës Administrative, e cila do të garantojë drejtësi efiçente, me gjykim të shpejtë dhe profesional, për të gjithë qytetarët apo bizneset që kanë ankesa ndaj administratës. Përvoja e suksesshme e Qendrës “One Stop Shop”, për regjistrimin e bizneseve, do të plotësohet në këtë fazë të dytë, me krijimin e një qendre të vetme për të gjitha llojet e licencave. Pas reduktimit me 2/3-at, të numrit të licencave, me këtë projekt thjeshtohet procedura e dhënies së tyre, duke përfshirë këtu dhe futjen e parimit “Heshtja është miratim”. Regjistri i Planifikimit të Territorit është një tjetër projekt madhor që synon shndërrimin e praktikës së sotme të lejeve të ndërtimit në një praktikë tërësisht transparente dhe moderne. Projekti i katërt është në mbështetje të implementimit të ligjit të ri të procedurave tatimore, i cili transformon rrënjësisht marrëdhënien e taksapaguesve me administratën tatimore.

KLSH, kontroll mjedisor Liqenit të Ohrit

Në kuadër të projektit të binjakëzimit “Mbështetje për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, financuar nga BE, po zhvillohet në qytetin e Pogradecit seminari 2-ditor mbi Kontrollin Mjedisor të Liqenit të Ohrit. Organizimi i këtij seminari mundësohet nga partnerët tanë strategjikë, NAO e Britanisë së Madhe dhe Gjykata e Auditimit të Holandës, si dhe me pjesëmarrjen e homologëve tanë nga Institucioni Suprem i Kontrollit të Maqedonisë. Ky seminar konsiston në krijimin e “Një mundësie për shkëmbimin ndërkombëtar të ideve”, ndërmjet eksperteve nga të dyja anët e kufirit, me qëllim ruajtjen dhe konservimin e vlerave të patjetërsueshme që mbart flora dhe fauna e liqenit të Ohrit. Punimet dhe rezultatet e këtij seminari po i ndjek nga afër dhe vetë kryetari i Bashkisë së Pogradecit, z. Artan Shkëmbi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›