E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: PS-ja ngurron në miratimin e ligjit të dosjeve



“PS, qëndrim të dyfishtë ndaj ligjit të spiunëve”

PD-ja denoncon deklaratat e Fatmir Xhafës

Politikave të PS-së për të shtyrë miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve duke kërkuar komision parlamentar për hartim të ligjit e procedura të tjera u është përgjigjur dje Aldo Bumçi duke kërkuar nga kolegët socialistë që të shprehen qartë për këtë çështje. Demokratët u kërkojnë me insistim socialistëve që të largojnë dyzimin dhe të shprehen në mënyrë të qartë për qëndrimin që do mbajnë ndaj ligjit të hapjes së dosjeve. Në emër të PD-së, deputeti Aldo Bumçi kërkoi dje nga Partia Socialiste që të japë mendimin e qartë se përse nguron të miratojë ligjin e dosjeve.

Demokratët janë të bindur se ka një qëndrim të dyfishtë nga Partia Socialiste për ligjin e dosjeve. Sipas deputetit demokrat Aldo Bumçi nuk është e qartë pse PS-ja nguron për miratimin e ligjit. Por herë pas here hezitimi i socialistëve është lidhur me origjinën e kësaj partie e cila vjen nga Partia e Punës e Shqipërisë. Në këtë prizëm, PD-ja njëkohësisht i bën thirrje PS-së që të shkëputet nga e kaluara e diktaturës komuniste e cila mori jetë njerëzish të pafajshëm dhe të miratojë në Kuvend ligjin e pastërtisë së figurave. Bumçi vuri në dukje se “mbas ndryshimit të përsëritur të qëndrimit të Partisë Socialiste për ligjin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë dhe konfuzionin që po shkakton kjo në opinionin publik, jemi të detyruar t’i shtrojmë këtë pyetje zotit Edi Rama. “Çfarë fshihet pas qëndrimit tuaj të dyfishtë për ligjin për dosjet? Në fillim porositni zotin Majko që të propozojë ligjin, më pas t’i kërkojë zotit Isaraj ta deklarojë atë antikushtetues. 4 ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve u kërkua hapja e të gjitha dosjeve nga ana e Partisë Socialiste, ndërsa nëpërmjet zotit Xhafa u kërkua që procesi të shtyhet”, - deklaroi deputeti i PD-së. Aldo Bumçi shtoi: “Pyetja për kryetarin e Partisë Socialiste është e drejtpërdrejtë se cilat janë motivet dhe arsyet për këtë qëndrim të dyfishtë, pse ky ngurrim për një ligj që vendos një standard kaq të rëndësishëm moral dhe politik për demokracinë shqiptare që do e ndajë njëherë e përgjithmonë nga e kaluara”. Ligji për pastërtinë e figurave ka nisur diskutimin në Komisionin parlamentar të Ligjeve dhe brenda muajit shtator është parashikuar në axhendën e Kuvendit që të kalojë për miratim. Por socialistët ende nuk kanë një qëndrim përfundimtar për momentin e votimit në Parlament. Pikërisht demokratët kërkojnë distancimin nga ky dyzim dhe shprehjen qartë të PS-së ndaj ligjit të dosjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›