E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurt politika

Rama: Ka hendek mes PS-së dhe shoqërisë

Kreu i PS-së Edi Rama ka pranuar se mes strukturave të partisë që ai drejton dhe shoqërisë ka hendeqe dhe për këtë arsye ai po promovon në të gjithë vendin krijimin e bordeve qytetare të cilësuara si “Borde të Dialogut me Shqipërinë”. Gjatë prezantimit të bordit në Fier ai tha se “Bordi i Dialogut me Shoqërinë, është një urë mes partisë dhe shoqërisë, mes partisë, e cila është një organizatë me strukturë dhe rregulla të caktuara dhe shoqërisë, e cila ka në gjirin e vet plot mbështetës e simpatizantë, por që shpeshherë gjendet në një hendek mes tyre dhe partisë”. Në këtë mënyrë ai për herë të parë ka pranuar publikisht që këto borde janë njëfarë mbivendosjeje e strukturave partiake. Por duke i mëshuar idesë së afrimit të qytetarëve pranë partisë, ka shtuar se “ky është një forum ku shpresoj dhe besoj që këto radhë do të vijnë duke u shtuar me qytetare e qytetarë që dëshirojnë të kontribuojnë për të promovuar alternativën tonë, për të promovuar programin dhe projektet tona, idetë tona, sigurisht duke sjellë idetë e tyre”. Në këtë kontekst ai e ka cilësuar si detyrë të partisë që të bëhet sipas tij “pasqyrë e shoqërisë”. Rama theksoi se “na takon neve t’i gjejmë rrugët për t’i marrë këto kontribute, duke ruajtur lirinë, pavarësinë e çdo individi që dëshiron të kontribuojë në një mënyrë të caktuar, por nuk dëshiron të rreshtohet për një kohë më të gjatë se sa ai moment”. Duke bërë dhe një herë diferencën mes bordeve dhe strukturave të partisë, kreu socialist ka thënë se “nuk kemi ushtruar asnjë lloj presioni te strukturat e partisë, sepse nuk janë ato që mund t’i ngrenë këto, por komunikimi individual, i drejtpërdrejtë si qytetarë me qytetarë, për të bërë të mundur të që të krijohet bërthama e parë, e cila të kthehet më pas në një rrjet”. Politika e ngritjes së këtyre bordeve i shkon për shtat teorive të kumtuara nga Rama për një politikë të re përtej së majtës e së djathtës. Në këtë mënyrë ai ka dalë nga korniza partiake duke ngritur struktura paralele në të gjitha rrethet me njerëz që nuk janë pjesë e PS-së. Jo pak herë kjo gjë ka ngjallur xhelozinë e justifikuar të strukturave lokale socialiste.

PS, numra telefoni për fermerët e dëmtuar nga misri kallp

Partia Socialiste ka vendosur të bëhet avokate e fermerëve të dëmtuar nga misri. Në këtë funksion ajo ka vënë disa numra telefoni në dispozicion të tyre, ndërkohë që do të kërkojë në Kuvend miratimin e një ligji me anë të të cilit të detyrojë qeverinë të dëmshpërblejë fermerët e dëmtuar nga fara e misrit “Alisea”. Deputeti socialist Taulant Balla prezantoi dje iniciativën ligjore që grupi parlamentar i PS-së do të ndërmarrë për të garantuar dëmshpërblimin e të gjitha familjeve të dëmtuara. Ai e akuzon qeverinë si fajtore për këtë situatë dhe e cilëson si të patolerueshëm faktin që asnjë institucion nuk ka marrë asnjë masë për evidentimin e dëmit të shkaktuar. Po ashtu, Balla tha se qeveria është përgjegjëse pasi ka lejuar shpërndarjen e kësaj fare në tregun shqiptar. “Kjo situatë është shkaktuar nga mungesa e veprimit dhe kontrollit të institucioneve shtetërore, shkaktuar për shkak të korrupsionit aktiv të individëve me pushtet politik, që nga pronari i kompanisë, tek ministri e deri tek Kryeministri”, - tha deputeti Balla. Partia Socialiste vuri në dispozicion të fermerëve të prekur nga kjo katastrofë dy numra telefoni: 042 223 408 dhe 0683400044. Në këta numra fermerëve u kërkohet të denoncojnë rastin e tyre dhe të deklarojnë sasinë e tokës së mbjellë me farën e misrit “Alisea”. “Mbi bazën e të dhënave të mbledhura nga deklarimet e vetë fshatarëve, specialistët tanë do të përllogarisin dëmin e shkaktuar në total si dhe dëmshpërblimin që i takon çdo familjeje,” - sqaroi deputeti socialist, Taulant Balla. Sipas të dhënave të deritanishme, qindra hektarë tokë të mbjella me misër në rrethin e Elbasanit, Librazhdit, Lushnjës, Fierit, Matit, Dibrës, Beratit, Gramshit etj. kanë dhënë prodhim zero për shkak të farës e cila ishte jashtë standardeve. Fara e ardhur nga Franca dhe e shpërndarë nga firma “Agro-Blend” prodhonte vetëm kallinj misri bosh. Fermerët protestojnë në lidhje me këtë situatë dhe kërkojnë dëmshpërblim.

“Rama në Paris, po të mos ishte LSI-ja”

"Në rast se ne nuk e mbështetnim Ramën në zgjedhjet lokale, ai sot do të ishte në Paris dhe jo kreu i bashkisë dhe i PS-së". Me këtë deklaratë disa ditë më parë Ilir Meta në një intervistë të dhënë për "Zërin e Amerikës", i ka bërë me dije ish-aleatit të tij se PS-ja nuk i fiton dot zgjedhjet e ardhshme duke mos bashkëpunuar me LSI-në. I pyetur nëse i intereson një Ramë i dobësuar në opozitë që ai të forcojë emrin e tij si lider i së majtës, Meta ka thënë se “ky nuk është aspak interesi ynë. Dhe është një arsyetim i gabuar, nëse do të ishim të interesuar për shkatërrimin e PS-së apo eliminimin politik të zotit Rama. Ne këtë mundësi e kishim në vitin 2007. Zoti Berisha na është lutur, jo vetëm ai, por edhe ambasadorë të huaj, që të bënim kodin pa certifikatat e garancisë që kërkonte zoti Rama e të gjithë ne. Dhe ne këtë mund ta bënim. E padyshim që sot, zoti Rama mund të ishte sërish në Paris e jo në krye të bashkisë, as në krye të PS-së dhe jo në krye të aferave të përbashkëta me zotin Berisha; besoj të gjithë e kanë të qartë situatën e zgjedhjeve 2007. Por ne këtë nuk e bëmë, se kishim nënshkruar një marrëveshje, ku interesi ynë i përbashkët ishte fitorja e opozitës përballë Sali Berishës”.

Paloka: Deputetët e PD-së i zgjedh baza e partisë

Partia Demokratike nuk do të cenojë të drejtën e bazës për të zgjedhur kandidatët për deputetë në kuvendin e 2009-s, ndaj dhe PD-ja do t'i përzgjedhë kandidatët për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nga baza e saj. Deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së saj, Edi Paloka, tha dje se ''edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare propozimet për kandidatët për deputetë do të vijnë nga baza e partisë, pastaj do të bëhet një përzgjedhje nga strukturat qendrore në PD''. Sipas tij, ''ndryshimet në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor nga maxhoritar në proporcional rajonal, nuk do ta ndryshojnë mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në partinë më të madhe të maxhorancës''. Z.Paloka pohoi se PD-ja po pret edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të bërë ndryshimet e duhura në degët e saj, në funksion të forcimit të strukturave bazë të partisë, që së bashku edhe me reformat e suksesshme të qeverisjes sonë, të rikonfirmojnë sërish fitoren e 2005-s. Për sa i përket shkrirjes së PDR-së së Genc Pollos dhe PBLD-së së Arian Starovës me strukturat e PD-së, Paloka tha se ''ne jemi të hapur për këdo që do të bashkohet me strukturat e PD-së, madje edhe për hyrje të reja, por nuk mund të flitet për kohë dhe data''.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›