Qeveria, investime publike edhe në Polis
Kryeministri Sali Berisha përuroi përfundimin e shkollës së mesme “Muhedin Sherifi” në komunën Polis në fshatin Gosimë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 7.8 milionë lekë. Kryeministri Berisha tha se qeveria ka përcaktuar fondin për asfaltimin e rrugës që lidh këtë komunë me Librazhdin. Në këtë kontekst Kryeministri tha se kjo qeveri po investon dhe do të vazhdojë të investojë në fshatra më shumë se çdo qeveri tjetër në historinë e këtij vendi. “Vetëm këtë vit në rrugët e fshatrave të Shqipërisë ne investojmë mbi 7 miliardë lekë dhe ne nuk do të bëjmë dallim. Ne vërtet po investojmë dhe po ndërtojmë akset kombëtare sepse ato duhen, por absolutisht po investojmë dhe po ndërtojmë të gjitha rrugët e rëndësishme të fshatrave shqiptare në mënyrë që ju të dilni më shpejt drejt tregut, që ju të komunikoni më shpejt me Librazhdin, Elbasanin dhe Tiranën, në mënyrë që prodhimet tuaja të kapin më mirë dhe më shpejt tregun”, - theksoi Kryeministri. Më tej Kryeministri e vuri theksin edhe tek investimet që po bëhen në furnizimin me ujë duke evidentuar faktin se në tre vite qeveria ka ndërtuar mbi 480 ujësjellës dhe qindra sisteme kanalizimesh. “Sërish, - vijoi Kryeministri, - ne do vazhdojmë përpjekjen tonë për t`ju siguruar juve ujin dhe kushte më të mira për jetën tuaj”.