E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ramën e nxorëm nga vrima ku u struk pas fotove nudo



Akuza: “Ka punuar kundër PS-së në zgjedhjet 2005”

Kreu i LSI-së, akuza të forta kryesocialistit

Ilir Meta ka zgjedhur ditën e krijimit të partisë së tij për të thelluar më shumë hendekun që e ndan nga PS-ja, edhe pas 4 vjetësh që ka ikur prej saj. Duke ecur në vazhdën e akuzave drejtuar kreut socialist Edi Rama për bashkëpunimin e tij me Kryeministrin Sali Berisha, Meta ka nisur të nxjerrë në shesh “të palarat” e Ramës gjatë kohës kur ishin aleatë dhe konkurruan bashkë në zgjedhjet vendore 2007. Pikërisht në atë kohë u botuan në shtyp disa foto nudo të Ramës, që kandidonte për herë të tretë për Bashkinë e Tiranës, foto që u mendua se i ulën reputacionin në elektorat. Meta i kujtoi dje se ishte pikërisht ai që i dha kurajo për të vazhduar betejën e zgjedhjeve duke lënë të nënkuptojë se Rama kishte hequr dorë nga fushata 3 javë para votimeve. “E mban mend mirë edhe miku im, Ndre Legisi, se si e nxorëm Edi Ramën, tre javë para datës së zgjedhjeve në 2007, nga vrima ku ishte strukur pas fotove nudo që i publikoi zoti Berisha, në mënyrë të dënueshme dhe të pacipë, dhe i dhamë zemër dhe kurajë që të vazhdonte garën, pikërisht për hir të fitores së opozitës, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë”, - tha Meta. E në fakt, megjithëse e artikuluar në një formë ironike, deklarata e tij thotë një të vërtetë për mbështetjen e fortë që shfaqi LSI-ja në atë periudhë duke dënuar publikisht disa herë publikimin e fotove dhe duke tentuar ta përdorë këtë në favor të fushatës së Ramës.

Debati për zgjedhjet

Ilir Meta me tone zemërate i ka kthyer dje përgjigje Ramës për alibitë e tij sipas të cilave dalja e vetme e LSI-së në zgjedhje do të mundësojë humbjen e së majtës. Madje Rama i ka kujtuar me këtë rast zgjedhjet parlamentare 2005 duke fajësuar LSI-në për humbjen e së majtës. Por Meta akuzon Ramën se ndryshe nga LSI-ja që garoi në mënyrë të ndershme në zgjedhje, ai punoi prapa krahëve të PS-së duke mbështetur kandidatët e pavarur. “Nëse LSI-ja u soll në mënyrë të hapur edhe të ndershme, dhe luftoi për të marrë votat e saj, ti u solle në mënyrë më të pandershme me Partinë Socialiste, sepse jo vetëm tinëzisht nxite shumë grupime, gjoja të pavarura, por që po dalin që janë të varura kokë e këmbë nga Bashkia e Tiranës sot, kundër qeverisë Nano, jo për të luftuar korrupsionin e asaj qeverie, por thjesht për të sjellë humbjen e asaj partie, largimin e atij kryetari dhe për të kapur më pas Partinë Socialiste, ashtu sikurse ndodhi”, - iu drejtua në distancë Meta Ramës. Ai i ka kujtuar atij dy raste konkrete kur Rama ka vepruar kundër PS-së, në Pezë dhe Rrogozhinë. “Edi Rama, që ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe që ishte edhe kandidat për kryetar të PS-së në 2003-shin, në 2005-ën të gjithë socialistët e dinë mirë, se doli edhe hapur kundër Partisë Socialiste, doli në Pezë, doli në Rrogozhinë, doli edhe në shumë zona të tjera, për të bërë thirrje që të mos votohej për kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, që ishte zoti Agron Dibra, por të votohej për një kandidat të një partie tjetër, që ishte miku i tij, Dash Peza, i cili sot figuron në Asamblenë e Partisë Socialiste”.

Për PS-në

Por Meta nuk është ndalur vetëm tek akuzat ndaj Ramës për bashkëpunim me Berishën, por ka prekur dhe çështjet e brendshme të PS-së duke e akuzuar Ramën se po e shpërbën atë parti. Ndërkohë që drejt LSI-së po vrapojnë të gjithë të pakënaqurit e PS-së, Meta kritikon Ramën duke u shprehur se “një akt i pamoralshëm i Edi Ramës, është zhbërja e Partisë Socialiste”. Sipas tij, “ai jo vetëm i ka lënë socialistët të pambrojtur nga Berisha, sepse jo vetëm që u ka fyer dhe ka hedhur poshtë vlerat, jo vetëm Kushtetutën, por edhe historinë e tyre, traditat pozitive, por për fat të keq sepse ai është bërë partner dhe bashkëfajtor me Sali Berishën, jo vetëm në marshimin dhe revanshin e tij për uzurpimin e të gjithë institucioneve në vend, por njëkohësisht në revanshin e shkatërrimit të mjedisit në të gjithë vendin dhe në radhë të parë në kryeqytet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›