E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri pikat ku do të ndryshojë statuti i PD-së



Kodi elektoral, ndarja e posteve, rikthimi i ish-ëve

Kuvendi i ri i PD-së, ndryshime të tjera në statut

Kuvendi i ardhshëm i PD-së do të votojë sërish ndryshime të tjera në statutin e PD-së. Pas ndërhyrjeve që iu bënë dokumentit themeltar të demokratëve në 2005-n, priten ndryshime të reja në statutin e Partisë Demokratike. Ndryshimi i kodit elektoral, ndarja e posteve partiake nga ato ekzekutive, por dhe rikthimi në PD i ish-ëve të saj, dikton domosdoshmërisht ndryshime në statutin e partisë në pushtet. Kuvendi i ardhshëm kombëtar i PD-së është institucioni i demokratëve i cili do të japë dhe miratimin për ndryshimet e reja në dokumentin themeltar të partisë që qeveris vendin. Ndryshimi i parë do të jetë ai i mënyrës së zgjedhjes së kandidatëve për deputetë. Sistemi i ri elektoral i cili pritet të diskutohet dhe të marrë aprovimin e politikës në Parlament, kushtëzon pikërisht dhe këtë ndërhyrje. Pa miratimin e tij, nuk mund të preket statuti. Një tjetër aspekt është ai i ndarjes së posteve partiake nga ato ekzekutive. Një ndryshim i tillë lind për faktin se që nga marrja e mandatit në 2005-n, e gjithë vëmendja e qeverisë kryesisht u përqendrua tek ekzekutivi, ndërkohë që u lanë në hije detyrat partiake. Pothuajse të gjithë ministrat dhe zëvendësit e tyre mbajnë nga një post në PD, gjë që neglizhoi në masë dhe punën e strukturave të partisë të cilat ranë në një apati të dukshme duke lënë pas dore punën në parti. Por afrimi i kuvendit të PD-së në maj të vitit që vjen, ka bërë që lidershipi i partisë të kthejë sytë nga PD-ja. Dhe pritet që për një mirëfunksionim të kë[saj partie në zgjedhjet e reja, në statut të bëhet dhe ndryshimi i ndarjes së posteve partiake nga ato ekzekutive. Në statutin aktual nuk pengohet mbajtja e dy posteve nga zyrtarët e PD-së, por që me ndryshimet që do bëhen, do të marrë fund një gjë e tillë. Po ashtu një tjetër aspekt ndërhyrjeje në dokumentin themeltar të PD-së është dhe rikthimi në mënyrë të vazhdueshme i ish-të larguarve nga partia në periudha të ndryshme që nga krijimi i saj. Rikthimi më i bujshëm ishte ai i vitit 2005 i ish-themeluesve të saj dhe një tjetër proces si ky pritet të konkretizohet edhe në vitin 2009, kur dhe zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare. Sipas zyrtarëve të PD-së, “duhen ndarë postet shtetërore nga ato partiake, pasi një vendosje e tillë e ka lënë PD-në në hije tre vitet e fundit. Por kjo çështje së bashku me atë të të rikthyerve në parti janë pika që kërkojnë detyrimisht rishikimin e statutit të partisë”.

Box

Statuti i PD-së, kompetencat e Kuvendit Kombëtar

Neni 39

Kuvendi Kombëtar:

1-vendos për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj;

2-miraton statutin e PDSH-së dhe ndryshimin e tij;

3-zgjedh me votim të fshehtë Këshillin Kombëtar nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues dhe sipas modaliteteve të përcaktuara nga kryesia e partisë;

4-zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e partisë;

5-vendos për shkarkimin e kryetarit të partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar;

6-me propozim të Kryesisë Qendrore ose të Këshillit Kombëtar zgjedh Kryetarët e Nderit, i cili ka vend e votë në organet qendrore të PDSH për gjithë jetën;

7-vendos shpërndarjen e partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera;

8-miraton komisionet e mandateve, të kërkesave dhe të votimit, që përgjigjen për mbarëvajtjen e punimeve të tij.

9-Të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar e kanë:

a. Kryetari i Partisë;

b. Këshilli Kombëtar;

c. Kryesia e Partisë;

d. Kryesia e degës së partisë;

e. jo më pak se pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të kuvendit me të drejtë vote, të shpërndarë të paktën në pesë degë të PD-së. Kërkesat për propozim kandidaturash sipas kësaj germe, duhet t’u nënshtrohen të njëjtave procedura si të tre germave të para.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›