4 vjetori i themelimit të LSI-së
Në shtator 2004 Ilir Meta me një grup deputetësh socialistë dhe me një pjesë së bazës së PS-së mori lëvizjen vendimtare, ikjen nga PS-ja vetëm pak kohë pasi humbi në kongres kandidati i mbështetur nga ta, Rexhep Mejdani dhe u rrëzua paketa e ndryshimeve në statut. Pas 4 vjetësh Lëvizja Socialiste për Integrim, partia e krijuar nga ndarja e PS-së, vazhdon të jetë në oponencë të fortë me këtë parti dhe pse prej saj ka ikur kryetari i atëhershëm Fatos Nano. Siç njofton zyra e shtypit e kësaj partie, LSI-ja zhvilloi dje mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar (KDK), e cila u përqendrua në diskutimin e axhendës së LSI-së për vitin politik në vazhdim, që është edhe një vit elektoral, mbledhje që përkon me 4-vjetorin e krijimit të LSI-së. Kreu i kësaj lëvizjeje, Meta, u shpreh: “Gëzuar 6 Shtatorin, ditën e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ditë e rëndësishme dhe historike, për t’i dhënë fund asaj krize të thellë që ka pasur sistemi ynë nga një përpjekje antidemokratike, për dominim artificial të dy partive të vjetra, mbi aspiratat, shpresat dhe vullnetet e shqiptarëve për demokraci dhe për t’i investuar energjitë e tyre, për zhvillimin e vendit dhe për rritjen e mirëqenies së tyre”. Ndërkaq kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, z. Edmond Haxhinasto, i cili duke bërë një ekspoze të performancës dhe organizimit të LSI-së, vlerësoi shumë aktivitetin intensiv në mbrojtje të vlerave dhe parimeve të kësaj force politike, si një parti e cila po njeh rritje dhe forcim në vazhdimësi dhe një mbështetje të gjerë nga të gjithë shqiptarët. Më pas fjalën e mori zv.kryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, prof. Pëllumb Xhufi, i cili është ndalur gjerësisht në axhendën politike të LSI-së për sesionin e ri parlamentar. Ai u shpreh se grupi parlamentar i LSI-së do të insistojë veçanërisht në zbardhjen e tragjedisë të Gërdecit, të shkaktuar nga shteti. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i LSI-së, z. Petrit Vasili, është ndalur më shumë në procesin organizativ të LSI-së në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ndërkaq në mbledhjen e KDK-së diskutuan dhe shprehën mendimet e tyre lidhur me organizimin dhe qëndrimet politike të LSI-së shumë anëtarë dhe anëtare të KDK-së.