Bumçi: PS po mban peng Gjykatën Administrative
Partia Demokratike akuzon PS-në se po mban peng miratimin në Kuvend të ligjit për ngritjen e Gjykatës administrative. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, i bëri thirrje dje opozitës që të mos bëhet pengesë për reformën në drejtësi dhe të kalojë ligjin në fjalë. Sipas tij, ngritja e kësaj gjykate është një nga reformat më të rëndësishme të kësaj qeverisje, jo vetëm në fushën e drejtësisë, por edhe në marrëdhëniet me gjyqësorin dhe shoqërinë. “Ligji për Gjykatën Administrative ka muaj që ka ardhur në Kuvendin e Shqipërisë, por megjithëse është shprehur vullneti për t’u kaluar bashkarish, deri më sot ky ligj qëndron i fjetur, sepse PS nuk ka vullnet për ta kaluar”, theksoi Bumçi. Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se “ligji është asistuar nga ekspertë të BE-së dhe për hartimin e tij Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar me misionin EURALIUS”. “Ngritja e Gjykatës Administrative do të thotë një shkallë më e ulët e abuzivizmit me pushtetin nga ana e administratës, ndërkohë që ky ligj ul hapësirat për korrupsion dhe rrit nivelin e demokracisë dhe të drejtat e qytetarëve”, tha Bumçi. Ai cilësoi se ngritja e kësaj administrate është një shans i shumëpritur për biznesin shqiptar, i cili vuan në çështjet që ka me administratën shtetërore për vite të tëra. Duke i bërë thirrje PS-së që t’i qëndrojë paktit për reformën në drejtësi, Bumçi solli në vëmendje të gjitha ligjet që janë kaluar bashkarisht, si ligji “Për pushtetin gjyqësor”, ndryshimet për Kushtetutën e vendit, ligjin “Për Prokurorinë” dhe një sërë ligjesh të tjera të rëndësishme.