Pranga 40-vjeçarit, u kap me radio e fenelinë policie
VLORE – Kërcënonte nënën e motrën me pistoletë, i gjenden në banesë materiale të policisë. Një kontroll në shtëpinë e Çecar Gjomemës ka zbuluar veç armës dhe një radio policie, antiplumb, silenciator pistolete e një fenelinë, në pronësi të 40-vjeçarit. Forcat e policisë së Vlorës morën një kallëzim për banorin e lagjes “Rilindja” pasditen e djeshme, sipas të cilit me armë në dorë ai po kërcënonte të ëmën dhe motrën. Gjomema jetonte me to pas ndarjes me të shoqen dhe njihej si person problematik për familjarët dhe zonën ku banonte. Sherri i radhës dhe kërcënimet se do t’i vriste shqetësuan fqinjët e pallatit të familjes Gjomema, të cilët kërkuan ndihmën e policisë së Vlorës. Sapo ka pikasur forcat e rendit, burri ka mundur të fshehë pistoletën, duke i pritur ata pa rezistencë. Policia ka marrë dëshmitë e dy grave, duke nisur kontrollin e shtëpisë. Veç pistoletës tip TT, aty u gjet dhe një numër i konsiderueshëm objektesh, të cilat përdoren nga forcat e rendit. Mes tyre kishte 1 radio policie, një silenciator arme, 1 jelek antiplumb, 1 fenelinë policie si dhe 100 gramë bimë narkotike. Menjëherë 40-vjeçarit iu vendos masa e arrestit me akuzat e kërcënimit, armëmbajtjes dhe posedimit të mjeteve të tjera të policisë pa asnjë leje. Sipas policisë, Gjomema ishte i skeduar si person i dhunshëm. Ai do të merret në pyetje për të hedhur dritë mbi mënyrën e sigurimit të armës së zjarrit dhe objekteve të tjera që i përkasin uniformave blu. q.b