Përçahet PBDNJ në komunën e Dropullit
GJIROKASTER - Këshi-lltarët e PBDNJ në Komunën e Dropullit të Sipërm kundërshtojnë buxhetin e këtij viti, duke dalë hapur kundër forcës së tyre politike, që i ka zgjedhur ata si përfaqësues në legjislativin vendor. Duke qenë shumica në Këshillin komunal të Dropullit të Sipërm, këshilltarët kanë kundërshtuar për herë të dytë dy ditë më parë miratimin e buxhetit për këtë vit, duke e quajtur atë si të papranueshëm. Në mbledhjen e parë të 30 janarit u shfaqën sinjalet e para të kundërshtisë së këtij buxheti nga ana e përfaqësuesve të PBDNJ-së, duke dalë haptazi kundër kreut të komunës Kostandin Kosta. Të 8 këshilltarët e PBDNJ në këshillin 15 vendesh, janë larguar të indinjuar nga mbledhja pasi sipas tyre në buxhet nuk janë marrë në konsideratë problemet më emergjente, siç është furnizimi me ujë të pijshëm i disa fshatrave të zonës si dhe infrastruktura rrugore. Sipas anëtarëve të PBDNJ në këtë këshill, buxheti po i kushton më tepër rëndësi problemeve jo akute dhe kjo është më tepër se luks. Veç kësaj, ata pohuan se nuk janë pyetur kryepleqtë e fshatrave për problemet që ndeshen dhe nuk është konsultuar më parë për zërat e buxhetit në komisionin e ekonomisë, financës dhe punëve publike të Këshillit Komunal. Vetë këshilltarët e PBDNJ kanë shprehur qëndrim kritik edhe ndaj kreut të Këshillit Komunal Dhimitër Qiqi duke kërkuar heqjen e tij. Në tentativën e dytë për miratimin e buxhetit, në mbledhje ka qenë edhe prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera, i cili ka kërkuar nga këshilltarët e partisë së tij të miratojnë buxhetin si një gjest politik, por kjo kërkesë është refuzuar nga ana e këshilltarëve, të cilët kanë kërkuar edhe një herë korrigjimin e buxhetit, pasi edhe në votimin përfundimtar ata do ta rrëzojnë sërish duke proklamuar zgjedhje për kuvendin e ri.