E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, PS: Berisha, skenar për manipulimin e zgjedhjeve

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste e cilësoi dje skenar politik vonesën e qeverisë në pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Sekretari për çështjet juridike në Partinë Socialiste Fatmir Xhafaj, përmes një konference për shtyp akuzoi maxhorancën dhe Kryeministrin Berisha se po bën përpjekje për manipulim të zgjedhjeve të ardhshme. “Sot ne ndjehemi tepër të shqetësuar për faktin, se procesi i ardhshëm zgjedhor është në rrezik. Sepse 1/4 e votuesve të listës potenciale të zgjedhësve ose rreth 1/3 e zgjedhësve të mundshëm për të votuar nuk mund të votojnë, sepse nuk kanë një prej dokumenteve identifikues që kërkon Kodi Zgjedhor. Ne shohim me shqetësim se prapa këtij procesi të rrezikuar seriozisht fshihet një skenar politik për ta dështuar pajisjen me letërnjoftim të shtetasve me qëllim krijimin e mundësive për manipulim të procesit të ardhshëm elektoral”, tha Xhafaj. Duke risjellë sërish në kujtesë deklaratën e pak ditëve më parë të Ministrit të Brendshëm për afatet e nisjes së aplikimeve për karta identiteti, sekretari socialist tha se “nën përgjegjësinë e tij politike zoti Nishani deklaroi se data 15 shkurt do të ishte data kur do të fillonte procesi i aplikimit në të gjitha qytetet e vendit dhe se data 28 shkurt do të jetë data kur ky proces do të ketë filluar në të gjitha komunat e vendit”. “Sot ky proces krahas Tiranës ka filluar vetëm në 7 qytete nga 65 të tillë në shkallë vendi, pra vetëm në rreth 10 % të tyre. Në shumë prej njësive vendore listat nuk janë të shpallura dhe nuk është kryer njoftimi i shtetasve sipas VKM nr.50. Ndërkohë që nga monitorimi i kryer prej nesh listat e dhëna nga Ministria e Brendshme për shumë njësi vendore rezultojnë të pasakta, me shumë mungesa, çka dëshmon më së paku paaftësinë e Ministrisë së Brendshme për të mbajtur të dhëna të sakta për shtetasit e vet”, tha Xhafaj. Sekretari socialist i kërkoi dje Kryeministrit Berisha që lejojë së bashku me kryetaren e Parlamentit ngritjen e komisionit parlamentar, që do të ndjekë procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. “Ne i kërkojmë publikisht Kryeministrit të urdhërojë zonjën Topalli të mundësoj ngritjen sa më shpejt të Komisionit Parlamentar Ad-hoc dhe nëse s’ka gjë për të fshehur t’i japë opozitës konform procedurave e praktikave parlamentare drejtimin e këtij komisioni. Çdo dështim në këtë proces dhe për rrjedhojë çdo implikim negativ në procesin zgjedhor të pritshëm, janë dhe do të mbeten përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Kryeministrit Berisha”, tha Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›