Bumçi: “Pa opozitën nuk mund të realizohet reforma në Drejtësi”
Maxhoranca është e vendosur për të realizuar reformën në Drejtësi me konsensusin dhe bashkëpunimin e opozitës. Pavarësisht deklaratës së kryetarit të PS-së Edi Rama për bllokimin e reformës në Drejtësi, deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, ka bërë të ditur se në Komisionin e Ligjeve nuk rezulton një qëndrim bllokues i opozitës. Por në fakt, gjatë mbledhjes së djeshme të këtij komisioni, opozita kërkoi për të dytën herë shtyrjen e diskutimit të projektligjit për Gjykatën Administrative, pjesë e reformës në Drejtësi. Deputeti Besnik Dervishi bëri të ditur se ekspertët e PS-së po e studiojnë draftin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë dhe i duhet kohë për të hartuar alternativat. Por kjo kërkesë për të shtyrë diskutimin e projektligjit nuk cilësohet si një përpjekje për të bllokuar reformën në Drejtësi nga deputeti Bumçi. “Ministria e Drejtësisë ka sjellë një paketë që përfshinë shumë ligje dhe sot kemi kaluar në parim projektligjin për Gjykatën Administrative. Opozita ka kërkuar një javë kohë për ta shqyrtuar. Ky është bashkëpunimi real që ndodh në Komisionin e Ligjeve. Unë që nga fillimi i vitit nuk shoh mungesë bashkëpunimi në fushën e drejtësisë. Dëshiroj të them se fusha e drejtësisë është apolitike dhe kërkon votën e opozitës për të kaluar ligjet. Pasi ligjet për Drejtësinë kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend, si rrjedhim, asnjë shumicë që nuk i ka 3/5, nuk mund të bëjë reformë në mënyrë të njëanshme”, - është shprehur Bumçi.
27 Nentor 2008