E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: ”Propozimet e PS-së për realizimin e reformës në Drejtësi”

Deputeti i PS-së: “Buxheti i qeverisë, shumë i varfër për reformimin”. Xhafaj: “PS-ja është e angazhuar seriozisht për reformimin e sistemit të drejtësisë”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste konfirmon angazhimin e saj për reformimin e sistemit të drejtësisë, por kritikon qeverinë se nuk ka akorduar në buxhetin e vitit 2009 fonde të mjaftueshme për reformën në këtë sistem. Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, theksoi se dy janë instrumentet kryesore kushtetuese që kanë në ekskluzivitetin e tyre Legjislativi dhe Ekzekutivi në raportet me pushtetin gjyqësor, Ligjbërja dhe Buxheti i Shtetit. Xhafaj e kritikoi qeverinë se nuk ka përmbushur asnjë prej këtyre elementeve. “Zbatimi i tyre ka efekte të drejtpërdrejta në raportet e tyre kushtetuese, balancimit dhe kontrollit reciprok ndërmjet tyre, çka përmban një ndër parimet kryesore demokratike të përcaktuara qartë në Kushtetutën tonë. Kjo maxhorancë ka bërë keq edhe njërën, edhe tjetrën në këto katër vite. Ndaj dhe sot flitet për mosbalancim të raporteve ndërmjet kësaj maxhorance dhe pushtetit gjyqësor”. Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste dha një sërë propozimesh dhe argumentesh, mbi të cilat duhet të mbështetet reforma në Drejtësi.
Progres-raporti
Sekretari për Çështjet Ligjore citoi Progres-raportin e Komisionit Europian, duke renditur një sërë problematikash që janë hasur në reformimin e sistemit të drejtësisë. “Sistemi gjyqësor vazhdon të jetë problematik, me procedura të ngadalëta dhe jo transparente. Infrastruktura gjyqësore kërkon forcim të konsiderueshëm. Nevojitet mbështetje e mjaftueshme nga buxheti i shtetit për shkollën e Magjistraturës për të siguruar vazhdueshmëri. Nevojitet trajnim i specializuar dhe i vazhdueshëm për gjykatësit. Kapaciteti hetimor i Prokurorisë mbetet i dobët. Përgjithësisht, pavarësia, transparenca dhe efikasiteti i Gjyqësorit mbeten prioritete të Partneritetit Europian që duhen adresuar. Ka pasur progres të limituar në reformën e Gjyqësorit, kryesisht në kuadrin ligjor. Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i dobët për shkak të mungesës së pavarësisë, besueshmërisë dhe transparencës”, - tha Xhafaj, duke cituar Progres-raportin.

Propozimet
Xhafaj tha se Pakti Kombëtar për Drejtësinë, i propozuar nga Partia Socialiste, synon që për garantimin sa më të mirë të funksionimit të sistemit të drejtësisë në tërësi është e domosdoshme që shteti të realizojë një mbështetje financiare të këtij sistemi sipas një plani veprimi të shtirë në një hark kohor disavjeçar, duke arritur deri edhe në përcaktimin e një niveli. Sipas Xhafajt, mbështetja financiare duhet të konsistojë në rritjen e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të të gjithë funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë në atë masë që të jetë si mburojë ndaj presioneve që synojnë të ndikojnë në vendimet e tyre dhe më në përgjithësi sjelljen e tyre. Deputeti socialist theksoi gjithashtu se Pakti Kombëtar për Drejtësinë synon përmirësimin e infrastrukturës së godinave të gjykatave dhe prokurorive, me qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme të punës në mënyre që funksionarët e Drejtësisë të punojnë me efikasitet. Propozim tjetër në këtë pakt është krijimi i sigurisë së funksionarëve të Drejtësisë, dëshmitarëve, ekspertëve në ambientet e institucioneve, por edhe sigurimi i mbrojtjes nga policia e atyre që mund të bëhen ose që janë viktima të kërcënimeve serioze. Tjetër propozim, sipas Xhafajt, është automatizimi dhe kompjuterizimi i veprimtarisë së të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë, duke realizuar një lidhje elektronike të tyre në nivel kombëtar, në funksion të lëvizjes së shpejtë të informacionit. Pakti Kombëtar për Drejtësinë synon mbështetjen e Shkollës së Magjistraturës
për të siguruar ekspertizën e nevojshme për formimin fillestar të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe për rritjen e efektshmërisë së trajnimit vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë. Së fundi, propozimet e PS-së janë për modernizimin e teknikave të zbulimit dhe hetimit si dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në sistemin e paraburgimit dhe burgimit.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›