Prokuroria çon dosjen e Bashës në Gjykatën e Lartë
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgjithshme dërgoi dje në Gjykatën e Lartë dosjen penale në ngarkim të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha me akuzat “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Në limitin e orarit zyrtar, kur ora shënonte 15:55, katër fashikuj me materiale të dosjes “Durrës-Kukës” janë nisur nga Prokuroria e Përgjithshme në drejtim të Gjykatës së Lartë. Burime nga kjo e fundit konfirmuan, se fashikulli mbërriti në tejkalim të orarit zyrtar rreth orës 16:05, megjithatë dosja është marrë në dorëzim dhe është depozituar në sekretari. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë, se në dosjen penale ndodhet i akuzuar edhe ish-drejtori i Sektorit Juridik në Ministrinë e Transporteve Andi Toma, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha. Pas veprimeve të ndërmarra dje nga Prokuroria e Përgjithshme tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse përcaktimi i trupit gjykues në Gjykatën e Lartë dhe paraqitja e ministrit të Jashtëm në bankën e akuzës, për vendimet e marra dhe procedurat e ndjekura, në kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Transporteve. Procesi hetimor i finalizuar dje nga Prokuroria e Përgjithshme filloi në Prokurorinë e Tiranës më 9 mars 2007. Organi i akuzës në kryeqytet filloi hetimet pas denoncimeve mediatike lidhur me abuzime të dyshuara në procedurat e ndjekura në prokurimin, tenderimin dhe financimin e ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Gjatë hetimeve të saj Prokuroria e Tiranës mori në pyetje rreth 20 persona, ndërsa sekuestroi gjithë dokumentacionin për procedurat e ndjekura, duke ndeshur në vështirësi në momentin, që kërkoi procesverbalet e mbledhjeve të qeverisë, ku ishte diskutuar nga ministrat për VKM-të që lidheshin me këtë çështje. Pas hetimeve 7-mujore, Prokuroria e Tiranës deklaroi, se kishte të dhëna që implikonin ministrin e Transporteve Basha, ndërkohë që ishin marrë të pandehur, Armand Teliti, zv/ministër i Transporteve, Lejla Saraçi, drejtoreshë e Rrugëve dhe Andi Toma, shef i sektorit Juridik. Për shkak të nevojës së hetimeve ndaj ministrit Basha, që kishte imunitet parlamentar si deputet, dosja kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme. Kërkesa për heqjen e imunitetit u hartua më 15 tetor 2005 dhe u firmos nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Prej asaj kohe deri më 6 nëntor 2008 Prokuroria e Përgjithshme zhvilloi hetime, duke realizuar në fund të muajit shtator edhe akt-ekspertimin kontabël, që fajëson ministrin Basha për shkaktim dëmi në buxhetin e shtetit në vlerën e 115 milionë eurove. Një dëm i tillë sipas Prokurorisë është shkaktuar përmes pagesave nga dega e thesarit në adresë të subjektit “Bechtel-Enka”, të cilës i janë dorëzuar shuma që sipas akuzës përbëjnë dyfishin e vlerës së çmimeve të tregut për artikujt, që janë vënë në përdorim gjatë ndërtimit të segmentit Rëshen-Kalimash.
Akuza: Shkeljet e Bashës
Përzgjedhja e konsulentit “Ecorys Group” është bërë e paracaktuar nga Basha, i cili e ka favorizuar
Në të gjitha rastet “Ecorys Group” deri në momentin e lidhjes së kontratës, ka komunikuar drejtpërdrejt me Bashën.
Konsulenti ka qenë i përcaktuar 20 ditë para së të miratohej me VKM 460, dt. 10.07.2006 dhe më shumë se një muaj para se të lidhej kontrata me të.
Anëtarët e komisionit kanë qenë të përcaktuar një javë para se të lidhej kontrata dhe 18 ditë para së të propozoheshin nga dhe miratoheshin me VKM.
Procedurat e propozuara për lidhjen e kontratës me konsulentin “Ecorys Group” në kundërshtim me ligjin “Për Prokurimin Publik”.
Përzgjedhja e firmës fituese dhe lidhja e kontratës me këtë firmë për zbatimin e punimeve është kryer me shkelje të shumta ligjore, duke favorizuar subjektin sipërmarrës.
Asnjë nga shoqëritë e huaja nuk ka paraqitur ofertë me çmim mbi bazën e të cilës do të shpallej fituesi. Kjo sepse nuk i është kërkuar një gjë e tillë dhe se nuk ka pasur fond limit, nuk ka pasur projekt të rrugës.
Është zhvilluar vetëm faza e parë, parakualifikimi dhe pastaj është negociuar dhe lidhur kontrata me shoqërinë “Bechtel-Enka”, pa pasur projekt dhe volume pune. Nuk janë zbatuar as procedurat e modelit ndërkombëtar FIDIC.
Shoqëria konsulente ka pasur konflikt interesi me shoqërinë “Bechtel-Enka”, të cilën e ka rekomanduar si fituese.
“Ecorys Group” asistoi Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, edhe në fazën e negocimit të kontratës me subjektin fitues.
Kontrata në vetvete përmban një numër të konsiderueshëm shkeljesh të ligjeve në fuqi.
Kontrata është miratuar pa një projekt përfundimtar të detajuar për zbatim dhe në kushtet e mungesës së oponencës teknike për projektin që do zbatohet.
Mungon projekti teknik, mungojnë volumet e punës që do kryhen dhe vlera e sipërmarrjes.
Kontrata është lidhur pa pasur të përcaktuar një fond limit. Lidhja e kontratës është bërë me çmime për njësi të synuara, me vlerë të synuar prej 418 333 986 euro. Kjo nuk bazohet në asnjë nga ligjet shqiptare në fuqi
Çmimet për njësi të vendosura në kontratë janë propozuar nga shoqëria sipërmarrëse dhe janë pranuar nga investitori si “të arsyeshme dhe të ndershme”, pa u ndryshuar fare.
Pagesa e infrastrukturës nga sipërmarrësi është vlerësuar 10 % e vlerës së përgjithshme, në një kohë që në praktikën shqiptare kjo masë vlerësohet me 2.1 % të vlerës së përgjithshme
Vlerësimi i çmimeve të betoneve është bërë afërsisht 2 herë më i lartë se çmimet e përdorura në betonime nga firmat shqiptare.
Ka zëra punimesh që përsëriten në dy forma.
Nuk është pasqyruar TVSH prej 20%.
Çmimi i synuar i kontratës duhet të ishte 226 473 494 euro, ose 191 860 492 euro më pak se çmimi i negociuar dhe parashikuar në kontratën e miratuar.
Kontrata është lidhur dhe ka filluar të zbatohet pa pasur një supervizor për mbikëqyrjen e punimeve.
Kontrata ka lejuar dhënien e paradhënies në favor të sipërmarrësit pa pasur garanci të mëparshme dhe pa filluar punimet.
Konstatohen dhe shkelje të tjera ligjore që kanë të bëjnë me mungesën e lejes mjedisore dhe mungesën e lejes gjeologjike.
Avokati: Akuza ndaj ministrit Basha jashtë afateve hetimore
TIRANE – Avokati i ministrit të Jashtëm refuzoi dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për t’u njohur me materialet e dosjes penale në ngarkim të klientit të tij. Zef Nikaj, mbrojtës ligjor i ish-ministrit të Transporteve Lulzim Basha, u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme dje rreth orës 11:00. Ai mësohet se ka depozituar në “memo” për prokurorin e çështjes “Durrës-Kukës”, ku shpreh mospranimin dhe mospjesëmarrjen e tij në veprimet e Prokurorisë, të cilat i konsideron të paligjshme dhe për më tepër jashtë afatit hetimor të limituar nga Gjykata e Tiranës. Avokati, madje pohon se klienti i tij është ende në hetim, pasi akuza e ngritur ndaj tij dhe statusi i pandehur ishin akte procedurale të formalizuara nga Prokuroria në tejkalim të afatit hetimor të dosjes në fjalë. Në memon drejtuar Zyrës së Prokurorit Përgjithshëm dhe prokurorit të çështjes Arben Kraja, avokati i Bashës shkruan se “më datë 4 dhjetor 2008 ora 12:00 më është komunikuar “ftesa” datë 4 dhjetor 2008 e nënshkruar nga prokurori pranë zyrës së Prokurorit Përgjithshëm Arben Kraja, ku kërkohet prej tyre paraqitjen time si avokat mbrojtës i z.Lulzim Bashës pranë këtij Institucioni në datë 5 dhjetor 2008 ora 11:00 për t’u njohur me aktet e procedimit penal Nr.1 të vitit 2007, të regjistruara në Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme”. Avokati thekson në “memo” se “lidhur me këtë ftesë nga ana ime si avokat mbrojtës i z.Lulzim Basha me rastin e nënshkrimit të saj ju kam vënë në dukje se si mbrojtës i kundërshtoj veprimet që kërkoni të kryeni, si të paligjshme. Gjithashtu, ju bëj me dije se që nga data 6 nëntor 2008 e në vazhdim veprimet tuaja hetimore janë ndërprerë për procesin penal Nr.1 të vitit 2007, me vendimin gjyqësor Nr.1494 akt datë 18 nëntor 2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Çka do të thotë se si organ akuze nuk gëzoni asnjë status ligjor për të kryer veprime të mëtejshme jashtë datës 6 nëntor 2008, ku deri në këtë datë klienti im ka statusin e personit nën hetim, nënvizon avokati. Ai vazhdon më tej në letrën drejtuar Prokurorisë, duke thënë se “meqenëse ju po vazhdoni të kryeni veprime flagrante të paligjshme, që bien ndesh me Kushtetutën e Kodin e P/Penale, si avokat mbrojtës i z.Lulzim Basha nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e këtyre veprimeve të paligjshme të institucionit tuaj, që ju po vazhdoni të kryeni qoftë edhe me datën 05.12.2008”. Prokuroria e Përgjithshme pas këtij qëndrimi të avokatit tha, se edhe Bashës ashtu si Andi Tomës, dosja iu dërgua me postë zyrtare. I pyetur për këtë, avokati i Bashës tha se nuk do të marrë pjesë në gjykim. tr.so