Bumçi: Kancelari i Gjykatës së Tiranës u zgjodh nga Fatmir Xhafaj
Partia Demokratike i cilëson si presione qëndrimet e PS-së mbi vendimet e fundit të marra nga ana e gjykatave, në lidhje me hetimin e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, kërkoi që opozita të sulmojë organet e pavarura të sistemit të drejtësisë. Bumçi dënoi atë që e cilësoi si “manipulim të organit të Prokurorisë së Përgjithshme nga ana e kryetarit të PS-së, Edi Rama”. Reagimi i tij erdhi pasi PS-ja ka shprehur rezervat e saj dhe hodhi hije dyshimi, se “shorti i gjykimit të dosjes së ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, është devijuar drejt gjykatësish, që janë të lidhur me PD-në”. “Edi Rama ka marrë përsipër të bëjë sërish prokurorin e Përgjithshëm, natyrisht me mentalitetin e persekutorit nuk mund të heqë dorë nga ky rol. Në shënjestër të tij janë sot gjykatësit e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët Rama, pinjoll i nomenklaturës së lartë të komunizmit, i konsideron fajtorë për ekzekutimin që falangat e partisë së Ramës u kanë bërë familjarëve të tyre”, tha zëdhënësi Bumçi. Ai shtoi se, “deklarata e tij e fundit në media përbën një përshkallëzim të ri të presionit ndaj drejtësisë, duke dëshmuar dhe një herë, që ai është formuluesi i aktakuzës politike ndaj ministrit Basha”. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të z. Rama, manipulimin e ulët që i bën Prokurorisë së Përgjithshme dhe sulmet ndaj drejtësisë, i kujtojmë se Shqipëria është vendi i shtetit ligjor dhe i qytetarëve të lirë, kurse qëndrimi yt vjen nga mentaliteti dhe lidhjet e tua direkte me byronë e dikurshme politike dhe strukturat e errëta të Sigurimit të Shtetit”, theksoi Bumçi. Ndërsa PD-ja bëri të ditur se “dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj, se Kancelari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është Ilir Gjergj Sauli, i emëruar në vitin 2004 nga ministri i Drejtësisë i kohës, Fatmir Xhafaj. Shorti për ndarjen e çështjeve për gjykim kryhet në mënyrë elektronike”.