E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holandezi fluturues dhe kriza globale

Andis Harasani 

Prapë Lulzim Basha. Ministri i Jashtëm është bërë si holandezi fluturues. Nuk i zënë këmbët dhe, siç mbeti nëpër detra pirati i famshëm dikur. Më shumë jashtë se brenda, ministri ynë, ndryshe nga pirati i “padukshëm”, shfrytëzon çdo rast për t’ia mbathur jashtë, sepse këtu brenda ka probleme. Prapë dhe telekomanda e aparatit të televizorit në dorë. Ministri nëpër dynja pozon i qeshur përpara kamerave, telekomanda të dërgon brenda çastit në çdo cep të globit. Çfarë mund të kenë të përbashkëta këto dy gjëra? Nuk më duket e vështirë për ta shpjeguar. Si Basha, si telekomanda bashkohen nga “halli”; ministri ka një hall të madh me veten, me të tjerët, me Prokurorinë, me ligjin, me opozitën, me moralin, me një pjesë të madhe të të tijve në parti e qeveri, sendi elektronik është bërë një mjet i urryer, njëlloj si lajmësi pa faj se sjell vetëm fatkeqësi. Ngado që të shtypësh butonat e telekomandës po e njëjta histori. Edicionet e lajmeve në të gjitha kanalet e mediave shqiptare, flasin për krizën ekonomike, krizë dhe recesion në SHBA, në Gjermani, vërtitet në Itali, Greqi apo dhe Francë. Kalon në satelit dhe sërish e njëjta histori; lajme të këqija vijnë edhe nga Japonia. Kurse këtu, brenda për brenda unazës së Tiranës, ende ka bindje dhe vendosmëri se kriza do të na rrijë mbrapa portës. Duhet të ketë me siguri një moment – dhe ky duhet të jetë momenti - që Perëndia dhe fati të verë dorën në zemër dhe të na e kursejë një zahmet të tillë, siç nuk kursen diellin për gati 300 ditë në këtë vend dhe siç nuk kursen budallallëkun që derdhet me shumicë, kryesisht nga podiume politike. Një budallallëk që megjithatë na furnizon me të qeshura.
Dakord, po Luli, kolegu im, çfarë hyn në këtë histori? Hyn, hyn! Pak ditë më parë ai ishte një nga votat “pro” për buxhetin e vitit të ardhshëm. Votoi për sasinë e parave që do të shkojë për arsimin, shëndetësinë, diplomacinë, mbrojtjen, rrugët dhe rrugicat e kështu me radhë. Votoi dhe për paratë që duhet të derdhen për sistemin e drejtësisë. Mirë bëri, ndonëse mendoj se Luli dhe shokët e tij nuk bënë mirë që, e para, nuk i dhanë më shumë para sistemit të drejtësisë dhe, e dyta, që nuk u ulën të mendojnë seriozisht se çfarë duhet të bëjmë si qeverisje dhe legjislativ për të penguar me sa mund trokitjen e krizën ekonomike. Dhe në mungesë të vullnetit – le ta quajmë kështu për eufemizëm mungesën e dijes së qeverisësve – për të hedhur hapin e dytë, kam përshtypjen se mund të rishihet hapi i parë, fondet e buxhetit të shtetit për sistemin e drejtësisë.
Rilexova projektbuxhetin. Si ekonomist e di që paratë duhet të shpenzohen aty ku janë më të nevojshme. E nevojshme është, për shembull, të paguhet organi i akuzës. Prokuroria e Përgjithshme përfiton për vitin e ardhshëm 973.800 mijë lekë. Në krahasim me vitin 2005, merr nja 11 për qind më pak fonde. Por dhe kaq sa i janë afruar, mendoj se janë të tepërta. Pse do t´i duhen paratë Prokurorisë? Le ta shkrijmë këtë institucion. Punën e organit të akuzës, si dhe të organeve të tjera të këtij lloji, ka vite që e bën kryeministri. Ai akuzon të gjithë dhe për gjithçka. Kur Prokuroria akuzon, fjala vjen Lulin, ai vetë i thotë se nuk ke të drejtë të ma bësh një gjë të tillë, kurse kryeministri e merr në mbrojtje dhe thotë se Luli ka besimin tim të plotë, është djalë i mbarë dhe se po i bien në qafë kot. Si vete më tej historia? Luli vazhdon të jetë krenar, kurse Prokurorisë i mbeten në dorë letrat që dëshmojnë se si fluturojnë paratë në projektin e shekullit.
Fondi për Ministrinë e Drejtësisë është 1.078.300 mijë lekë. Shumë, qenkan dhe më shumë se një vit më parë, plot 40 për qind më tepër sesa i kemi dhënë ne socialistët në 2005-ën. Dhe për çfarë do të përdoren? Ca andej, ca këtej. Mund të ketë një shkurtim drastik në këtë pikë. Le të hiqen para mënjanë sa për rrogën dhe dietat e ministrit Alibeaj dhe të ca këshilltareve të tij të reja dhe pjesa tjetër të rikthehet sërish në buxhet. Alibeaj pastaj i bën vetë të gjitha, ligje që i kundërshtojnë të gjithë, siç ka bërë vullnetarisht vendimet që na morën të gjithëve në qafë dhe vranë njerëz në Gërdec, bën noterin, përmbaruesin, avokatin e kështu me radhë. Në të njëjtën linjë do të shkonte dhe ideja për fondet për sistemin e burgjeve. Për çfarë hyjnë në punë të gjithë ato para? Për një të burgosur, shoqëria që e mban mbyllur paguan rrumbullak 700 euro në muaj, ndërsa shumica dërmuese e familjeve shqiptare jetojnë të lumtura me rreth shtatë herë më pak. Mendoj dhe propozoj të ndryshojmë rrënjësisht qasjen tonë: për shembull, pse duhet të mbahet në burg dikush që ka vjedhur një celular, dikush që ka vjedhur ca letër në zyrë, dikush që është grindur me fqinjin, kur të bësh që të humbasin nga buxheti i shtetit 200 milionë e kusur euro, nuk quhet krim? Përkundrazi, konsiderohet si krenari dhe ëndërr e realizuar. Pse duhen ato, kur nga të gjithë akuzat e prokurorit Sali dhe vendimet e formës së prerë të gjykatësit Berisha për armiqtë e tij megahajdutë socialistë, nuk ka mbetur asgjë në këmbë? Le të lemë të hapur një burg të vetëm ku të mbyllim të gjithë armiqtë e ëndrrës së Lulit dhe Saliut, domethënë të rrugës. Dhe këta armiq të demaskohen me spote televizive si antishqiptarë – paguajnë taksapaguesit me qejf - ndërsa paratë që duhen për mbajtjen e tyre në burg, t’i paguajnë vetë. Po kështu me buxhetin për gjykatat, me shkurtime për policinë, mbrojtjen, energjinë. Gjithë paratë e kursyera në këtë mënyrë, në një llogari të përafërt dalin goxha shumë, të shpenzohen siç do të donte ta bënte Luli. Natyrisht duke hequr më parë shpenzimet e tij për udhëtimet si holandezi fluturues dhe koston për të përballur një krizë të mundshme ekonomike në Shqipëri. Por e gjitha kjo me një kusht; nga avioni i radhës Luli të deklarojë se tani e tutje duhet të luftojë të realizojë dhe një ëndërr tjetër; legalizimin e vjedhjes. Me budallallëkun, paaftësinë, demagogjinë e kemi bërë, i kemi legalizuar plotësisht, pse të mos e bëjmë të njëjtën gjë edhe me grabitjen e fondeve publike? Kështu dhe Luli fluturuesi shpëton nga sikletet, edhe Inën e Prokurorisë e lëmë rehat! Kështu, edhe ne shqiptarët mund të krenohemi të gjithë bashkë, pavarësisht dallimeve politike me këtë kontribut të jashtëzakonshëm që i japim Evropës e më gjerë me përballimin e krizës dhe legalizimin e grabitjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›