Bumçi: Rama, dy standarde për planin francez
Partia Demokratike sulmoi sërish kreun e bashkisë në lidhje për ndërtimet në Tiranë, në kuadër të planit Francez. Zëdhënësi i grupit të PD-së, Aldo Bumçi në konferencën e djeshme për shtyp tha se “Bashkia e Tiranës ka vepruar në dy standarde në dhënien e lejeve të ndërtimit”. “Në mënyrë të heshtur pronat e qytetarëve të vjetër të qytetit po zhvlerësohen për shkak të praktikës së dhënies së lejeve të ndërtimit nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Lagjet e vjetra të qytetit nuk trajtohen si njësi të integruar ndërtimi, por duke i copëzuar lejet e ndërtimit, një leje këtu dhe një leje diku tjetër, shtëpitë e vjetra që ndodhen ndërmjet këtyre pallateve të reja nuk mund të zhvillojnë me pronën e tyre si fqinjët e tyre”, deklaroi Bumçi. Ai shtoi se “kjo është trashëgimia e Edi Ramës për qytetin e Tiranës. Një metodë qeverisëse që nuk ka asgjë moderne, është primitive në mënyrën se si e koncepton zhvillimin e pronës në kryeqytet, nuk është e drejtë sepse disa pronarë përfitojnë në kurriz të së tjerëve, dhe në këtë mënyrë i hap rrugë abuzimit”. Sipas tij, “lejet nuk jepen për çdo truall në mënyrë individuale, por bëhet integrimi i pronave për të krijuar një njësi/strukture ndërtimi të përbashkët”. Pas këtij qëndrimi i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i nënkryetarit të bashkisë, Eduart Shalsi. “Me sa duket Sali Berisha nuk mund të çlirohet nga makthi përpara pasqyrës së Tiranës Evropiane dhe as të ndalojë papagajtë e tij, që prej 9 vjetësh bëjnë këtë punë të shpifur dhe qesharake”, deklaroi Shalsi.