FMN: Të gatshëm t’ju japim kredi për krizën ekonomike
Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e krizës financiare, në dhënien e kredive të buta. Përfaqësuesja e FMN-së, An Margaret Westin ka deklaruar se organizmi ndërkombëtar, që përfaqëson është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë në përballimin e krizës financiare, kjo nëse kërkohet nga ana e qeverisë shqiptare. Njëkohësisht, Westin bën të ditur se që të realizohet një gjë e tillë duhet një marrëveshje paraprake mes FMN-së dhe Qeverisë shqiptare. “Nëse qeveria do të trokiste në derën e FMN-së për një program ndihme, ne jemi shumë të gatshëm të diskutojmë llojin e marrëveshjes. Zakonisht FMN nuk financon drejtpërdrejtë buxhetin. Kreditë tona shkojnë për rritjen e rezervave valutore. Por kjo është shumë e vlefshme, pasi jo vetëm financon deficitin korrent, por edhe u hap rrugë financimeve direkte për buxhetin nga donatorët e tjerë. Bashkimi Evropian, donatorët e tjerë do të financojnë buxhetin e Shqipërisë vetëm nëse vendi do të ketë një marrëveshje me FMN-në”, deklaroi Westin. Qeveria shqiptare nuk ka pranuar se vendi është në krizë, por zyrtarja FMN-së thekson se “ne po shikojmë me vëmendje situatën e buxhetit dhe po vëmë re se financimi i tij po shtrëngohet”. “Të ardhurat, qoftë tatimore dhe ato doganore, janë me tendencë në rënie dhe më të ulëta se plani duke reflektuar krizën ekonomike, por edhe tkurrjen e tregtisë. Për Shqipërinë, ashtu si edhe vendet e tjera po bëhet gjithmonë e më e vështirë për të marrë hua, qoftë në tregun e brendshëm, qoftë në atë ndërkombëtar, për të financuar deficitin buxhetor”, tha zyrtarja e FMN-së. Për sa i përket shpenzimeve, FMN-ja ndan mendimin se qeveria shqiptare duhet të ulë shpenzimet. “Në Shqipëri, edhe pse borxhi ka ardhur në ulje të ndjeshme nga viti në vit, ne mendojmë se sërish niveli aktual prej rreth 55 % është shumë i lartë dhe i vështirë për t’u financuar. Një vend si ju e ka shumë të vështirë të gjejë financime në tregun ndërkombëtar, sepse Shqipëria nuk mund të dalë në treg dhe të thotë blini eurobonot e mia. Ne e kuptojmë që është koha për të rritur shpenzimet, por problemi me ju është financimi i tyre. Pikërisht për këtë disa vende po marrin programe ndihme nga FMN”, tha Westin. Ndërsa për rritjen e ekomomike në vend, FMN ndan mendimin se Shqipëri ishte 6.8%, ndryshe nga ç’thotë INSTAT për një rritje prej 8%.