E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daniele Masaro: Shqipëria është shtëpia ime e dytë

 

Jetmir Halilaj

Shqiptarët shpeshherë paragjykohen, sidomos në Itali, ku jetojnë një pjesë e konsiderueshme e bashkatdhetarëve tanë. Këtë e pohon edhe Daniele Masaro, ish-sulmuesi i Milanit dhe aktualisht përgjegjës i sektorit të marrëdhënieve me publikun në klubin kuqezi. Në një intervistë për “Panorama”, ish-sulmuesi i Italisë flet edhe për sezonin e Milanit dhe nuk ngurron të lëshojë shigjeta në adresë të “kushërinjve” interistë, duke vënë nën shënjestër trajnerin e tyre, Zhoze Murinjo.
Vini për herë të dytë në Shqipëri, çfarë ka ndryshuar këtë herë?
Kanë ndryshuar disa gjëra, por në aspektin pozitiv. Dua të them se tani ndihem gjithnjë e më pranë këtij vendi dhe se Tirana më duket paksa si shtëpia ime e dytë, ose familja e zotit Taçi më duket paksa edhe si familja ime e dytë. Nuk ka ndryshuar aspak mikpritja. Këtu njerëzit janë të jashtëzakonshëm dhe unë kudo ku kam shkuar e kam thënë një gjë të tillë. Askund nuk më kanë parë sytë një mikpritje të tillë.
Përveç aspektit sportiv, çfarë ju bën më tepër përshtypje në Shqipëri?
Eh, këtu desha të dilja. Për fat të keq, edhe në vendim tim, shpeshherë shqiptarët paragjykohen. Kjo për shkak të sjelljeve, apo veprimeve që bëjnë një pakicë e shqiptarëve që jetojnë atje. Megjithatë, unë kam një mendim krejt ndryshe për Shqipërinë dhe për qytetarët e saj, kjo edhe për faktin se e kam vizituar vetë këtë vend. Duke dashur të evitoj komplimentet standarde në kësi rastesh, e them me bindje se shqiptarët janë ndryshe nga sa mendojnë një pjesë e italianëve, apo e evropianëve të tjerë. Megjithatë, për ta vërtetuar një gjë të tillë, duhet që këtë vend ta vizitosh vetë, ashtu sikurse kam bërë edhe unë.
Ju vetë, i keni paragjykuar ndonjëherë shqiptarët, para se të vinit këtu?
Jo, asnjëherë dhe për këtë kam dhënë argumente që në vizitën time të parë. Babai im, gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte jetuar për një kohë të konsiderueshme në Shqipëri dhe më kishte folur shpesh për këtë vend. Ai gjithnjë ma kishte përshkruar Shqipërinë dhe shqiptarët si një vend të mirë, madje shpesh edhe ju lavdëronte për disa zakone apo tradita që kishit. Kjo më kishte krijuar përshtypjen se këtu gjërat janë krejtësisht ndryshe nga sa i përshkruajnë mediat. Për këtë isha i bindur para se të vija, por nuk mund ta mohoj se më pas m’u përforcua ideja se njerëzit këtu janë vërtet pozitivë dhe shumë të mirë.
Pas vizitës suaj të parë, a ju pyeti ndonjë nga miqtë tuaj për Shqipërinë, si ishte ky vend, apo se ç’përshtypje ju kishte lënë?
Nuk qe nevoja, sepse sapo u ktheva, fillova t’u thosha të gjithë miqve se isha mrekulluar nga mikpritja këtu. Sigurisht, që një pjesë e tyre u habitën paksa.
T’i rikthehemi futbollit, ju ç’mendim keni për këtë sezon të Milanit?
Unë mendoj se mund të kishte bërë më shumë se kaq, ndonëse për të qenë të sinqertë pati disa dëmtime thelbësore që ndikuan jo pak në rendimentin e ekipit. Megjithatë, kjo nuk e justifikon plotësisht faktin që tani jemi kaq shumë pikë larg vendit të parë. Gjithsesi, unë jam i bindur se gjatë kësaj merkatoje verore, drejtuesit e klubit do të bëjnë lëvizjet e duhura dhe do të afrojnë lojtarë që do të forcojnë e do ta konsolidojnë ekipin. Kam besim se vitin tjetër, Milani do të garojë denjësisht jo vetëm në kampionat, por edhe në Ligën e Kampioneve.
A pati keqardhje në kampin kuqezi pas humbjes 2-1 me Tiranën?
Unë mund të them vetëm se lojtarët u ndjenë mirë këtu në Tiranë dhe se gjërat shkuan sipas të gjitha parashikimeve. Madje e harruan thuajse fare humbjen nga ajo pritje madhështore që iu rezervua. Megjithatë, nuk e mohoj se disa nga futbollistët dhe stafi u surprizuan që nuk fituan...
Interi ka vënë diktat në Serinë A, por edhe këtë vit dështoi në Champions...
Është fakt që Milani është skuadra italiane më e suksesshme në Evropë dhe këtë nuk e them se jam ish-futbollist i Milanit, por sepse personalisht nuk mbaj mend herën e fundit kur Interi ka fituar një Ligë Kampionesh.... Ata kanë ecur shumë mirë në Serinë A, por në Evropë iu mungon akoma petku i të qenit një skuadër triumfuese.
Ç’mendim keni për Murinjon?
Është një trajner i mirë, por te Interi ka pasur mundësi që të bënte më tepër nga ç‘ka bërë. Mendoj se ai duhet të ketë më shumë respekt për homologët e tij në Serinë A dhe nuk duhet t’i nënvlerësojë.

“Milani në Shqipëri, një dhuratë për të rinjtë”
Presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, ka falënderuar drejtuesit e klubit të Milanit për mbështetjen dhe besimin që i kanë dhënë për të organizuar aktivitete të tilla sportive. Ai ka pohuar se pak ditë më parë, numri 2 i Milanit, Adriano Galiani, i ka bërë një surprizë të bukur, teksa i ka dhuruar një fanellë të Milanit me emrin e djalit të tij dy muajsh, Ilirit. “Të jesh promotori i këtij aktiviteti çdo vit është një kënaqësi e madhe. Është shumë e rëndësishme për një kompani të re, si ‘Taçi Oil International’ të jetë i pranishëm në iniciativat, të cilat ndihmojnë vendin tonë të rritet dhe ky me Milanin është një rast i mrekullueshëm për t’u dhuruar një ëndërr të rinjve shqiptarë. Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë zotin Galiani, administratorin e deleguar të Milanit dhe një prej miqve më të mirë të Shqipërisë, pasi me emrin e Milanit, imazhin që përçon ai dhe yjet të tij që erdhën në Shqipëri, shënoi një ngjarje e madhe për sportdashësit shqiptarë. Dëshiroj të falënderoj Fabricio Galianin, djalin e Adriano Galianit, i cili ka ardhur këtu me porosinë e të atit për të njohur edhe ai nga afër pritjen e ngrohtë që të jep vendi ynë. Dua të falënderoj Galianin edhe për një dhuratë të jashtëzakonshme që më bëri, kur më dha në Milano një fanellë të Milanit për djalin tim dy muajsh, Ilirin”, tha Taçi, duke falënderuar edhe ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Saba D’Elia.

Taçi sjell sërish Milanin në Tiranë

“Milan Junior Camp”, ashtu si edhe skuadra e Milanit, do të vijnë për herë të dytë në Shqipëri. Evenimenti i vitit 2009 do të zhvillohet në datat 6 deri në 10 korrik, ku do të marrin pjesë në këtë aktivitet 350 fëmijë shqiptarë, 5 prej të cilëve do të fitojnë të drejtën për të shkuar në stadiumin e “San Siros” të Milanos. Ndërkaq, drejtuesit e kompanisë “Taçi Oil”, por edhe përfaqësuesit zyrtarë të Milanit kanë pohuar se skuadra kuqezi do të vijë sërish në Tiranë për të zhvilluar një ndeshje miqësore në kuadër të edicionit të dytë të trofeut “Taçi Oil International”, por ende nuk është saktësuar data e ndeshjes dhe skuadra kundër së cilës do të luajnë kuqezinjtë. Sipas Françska Pietras, përgjegjëse e projektit “Milan Junior Camp” gjatë këtij viti do të marrin pjesë 15 mijë fëmijë nëpër kampingjet e 37 vendeve të botës të organizuar nga Milani. “Kampingu këtë vit do të zhvillohet nga data 6 deri më 10 korrik në Tiranë. Në këtë kamping do të marrin pjesë fëmijë nga mosha 8 deri në 16 vjeç dhe që dëshirojnë të mësojnë sekretet e futbollit milanist, - tha Marko Skembri, drejtori i përgjithshëm i ‘World Camp’ i Milanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›