Divorci Mula-Çako, shtyhet gjyqi
TIRANE – Edhe dy javë kohë që Inva Mula të “ndërrojë mendje” për divorc nga Pirro Çako. Gjyqtarja Elona Gjoka është detyruar ta shtyje për një datë të re seancën e djeshme gjyqësore për divorcin mes sopranos së famshme Mula dhe bashkëshortit të saj, këngëtarit Çako. Vendimi i djeshëm është marrë pasi në seancë rezultoi se njëra nga palët pjesëmarrëse nuk kishte marrë dijeni për datën dhe orën e gjykimit. Dje në orën 14:00, ora e caktuar për seancën e parë të këtij procesi, në ambientet e gjykatës ka qenë i pranishëm vetëm mbrojtësi ligjor i paditëses Mula, avokati Sokol Çomo. Vetë sopranoja Inva Mula, kishte zgjedhur të mos ishte e pranishme. Sipas kryesueses së seancës, gjyqtares Gjoka, seanca duhet të shtyhej pasi rezultonte se pala e paditur, në rastin në fjalë këngëtari Pirro Çako, nuk kishte marrë dijeni për seancën. Në përfundim gjykata vendosi datën 5 maj si datë për seancën e radhës. “Krisja” në martesën e çiftit “VIP” u zyrtarizua në ditët e para të muajit prill. Pas vitesh aludimesh mediatike dhe fjalësh pa baza konkrete për një ndarje mes tyre, një kërkesë padi për divorc u regjistrua në Gjykatën e Tiranës. Me anë të saj sopranoja e famshme, kërkonte zgjidhjen e martesës nga bashkëshorti Pirro Çako. Në kërkesë padi Mula e kishte argumentuar kërkesën me faktin, se ata jetonin larg njëri tjetrit dhe se “marrëdhënia e tyre nuk kishte me kuptim”. Dje ishte caktuar seanca përgatitore e gjykimit të zgjidhjes së martesës së dy këngëtarëve, seancë e cila u shty për dy javë më vonë. ar.ba