E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zonja e zezë” e Fahri Balliut promovim në Gjenevë

 

Pas Francës, ku tërhoqi vëmendjen e autoriteteve më të mëdha të vendit, historia e gruas së diktatorit shqiptar, nuk ka kaluar në heshtje as në Zvicër. Në panairin më të madh të librit frankofon në Zvicër dhe njërin nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme të Evropës, në Sallonin e Librit në Gjenevë, publicisti Fahri Balliu pati një takim me presidentin e Zvicrës Pascal Cauchepin, të cilit i dhuroi edhe botimin në frëngjisht të monografisë “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Presidenti vlerësoi suksesin e librit në Zvicër e Francë dhe shprehu dëshirën për të pasur sa më shumë botime shqipe në gjuhën frënge. Ndërsa kanë folur për tema të ndryshme, që nga ato letrare, tek ato politike, janë ndalur më së shumti tek libri “La Femme du Diable”, ku Balliu i shpjegoi presidentit zviceran rolin që ka luajtur gruaja e diktatorit në mbajtjen gjallë të një prej diktaturave më të egra në Evropë. Por ky nuk ishte i vetmi libër që tërhoqi vëmendjen e vizitorëve. Stenda e Shtëpisë Botuese “55” në Panairin e Librit në Gjenevë, që këtë vit tërhoqi vëmendjen e më shumë se 100 mijë vizitorëve, është shndërruar që ditën e parë në një pikë referimi për diasporën shqiptare që jeton në Konfederatën Zvicerane. Duke qenë e vetmja përfaqësuese e publikimeve në gjuhën shqip, intelektualë, përfaqësues të shoqatave të emigrantëve, por edhe dashamirës të librit, të ardhur nga Gjermania e Italia, vizituan stendën dhe shprehën vlerësim të lartë për cilësinë e lartë të botimeve, që prezanton Enti Botues “55”. Përveç librit “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, mjaft publikime të tjera, si “Historia e Shtetit Shqiptar, 1912-2005” e Kastriot Dervishit, memuarët e Pater Zef Pllumit apo edhe publikime të tjera historike e shkencore, të përfshira edhe në kolanën e posaçme “Intelligenda”, nën kujdesin e Dr.Aurel Plasarit, zgjuan interesin e vizitorëve, çka solli edhe tërheqjen në masë të tyre. Salloni i Librit në Gjenevë këtë vit shënoi edicionin e 23-të të tij. Në panair marrin pjesë 720 shtëpi botuese nga e gjithë bota, ndërkohë që sivjet salloni i librit do të funksionojë edhe si “Europ’art”, një organizim që përpiqet të promovojë shkëmbimin e kulturave dhe të ideve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›