Ekspozohen trofetë e Ibrahim Kodrës
Janë rreth 100 trofe, që ai i ka marrë gjatë jetës së tij. Kanë mbushur raftet në shtëpinë e tij muze dhe dje u ekspozuan për herë të parë për publikun. Në ditëlindjen e 91-të të piktorit Ibrahim Kodra, në shtëpinë e tij në Milano, u organizua një ekspozitë e veçantë. Nëse gjithnjë janë ekspozuar vepra të tij, këtë herë u zgjodhën disa objekte të veçanta, që flasin shumë për karrierën e tij të suksesshme. Bëhet fjalë për një ekspozitë trofesh. Organizatori i saj, Fatos Faslliu, thotë se janë 100 syresh, mes të cilave 60 janë tepër të rëndësishme. E para daton në vitin 1947, për të ardhur deri në vitet e fundit të jetës së tij. Shumë prej tyre janë certifikata si “Qytetar nderi” në qytete të ndryshme të Italisë, ku kanë nderuar mjeshtrin, duke e bërë pjesë të komunitetit të tyre. Shumë të tjera janë certifikata mirënjohjeje që i janë dorëzuar për meritat e tij të shquara si një ndër të fundmit e postkubizmit. Tepër të rëndësishme janë ato që mbajnë firmën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Franceze. Kjo certifikatë mirënjohjeje i është dorëzuar Kodrës nga ministri i Kulturës franceze. Një tjetër daton 25 prill 1971 dhe e firmosur nga dr. Rogar Pinoteau. Janë pa fund trofetë e marra në Milano, ndërsa nuk mungon edhe titulli “Nderi i Kombit” dhënë nga ish-presidenti Sali Berisha.