Kartat falas, PS vendos braktisjen e Parlamentit
Aristir Lumezi
Deputetët socialistë vendosën dje të mos shkojnë sot në seancën parlamentare. Vendimi është marrë nga kryesia e grupit parlamentar në konsultim me kryetarin socialist dhe u është komunikuar të gjithë deputetëve. Grupi parlamentar socialist i ka qëndruar vendimit të marrë që në seancën e së enjtes së kaluar për të mos marrë pjesë në Kuvend, deri sa qeveria të vijë me një vendim për karta identiteti falas për të gjithë ata shtetas që nuk kanë pasaporta për jashtë. Por dhe pse u pa sikur vendimi për bojkot kishte të bënte vetëm me seancën e së enjtes së shkuar, në formë presioni ndaj kryeministrit, socialistët treguan që në fillim të kësaj jave se ky ishte vendimi i tyre përfundimtar dhe i vendosur. Ata nuk morën pjesë të martën dhe të mërkurën në komisionet parlamentare, ku janë diskutuar ligje të rëndësishme dhe janë kaluar vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha të enjten e shkuar se socialistët braktisin Kuvendin deri në marrjen e një vendimi nga ana e qeverisë për karta falas për të gjithë ata që nuk kanë pasaporta. Por një ditë më vonë, kryetari socialist Edi Rama, gjatë një konference për shtyp korrigjoi Leskajn, duke thënë se socialistët kanë braktisur seancën parlamentare dhe jo Kuvendin. Kjo deklaratë e Ramës u pasua nga një ftesë e tij për kryeministrin Berisha për një tryezë të përbashkët për të paraqitur propozimet e socialistëve për kartat falas. Socialistët kanë kërkuar karta identiteti falas për të gjithë ata që nuk disponojnë pasaporta, duke e cilësuar këtë kategori si më të varfrën dhe në pamundësi të përballojë tarifën prej 1200 lekësh të reja. Por socialistët kanë paralajmëruar maxhorancën se nëse kryeministri nuk do të dëgjojë zërin e arsyes së kësaj shtrese që nuk ka mundësi ekonomike të blejë kartën e identitetit, duke e përjashtuar kështu dhe nga votimi, atëherë ata do të jenë në krye të protestave popullore. Çështja e kartave të identitetit për ata që nuk kanë pasaporta është vendosur në qendër të debatit politik dhe duket se do të jetë pika që do të ndajë dhe pozicionin e socialistëve, nëse do të shkojnë në zgjedhje në mungesë të kartave të identitetit për një kategori shumë të madhe njerëzish, që sipas tyre shkon në rreth 700 mijë shtetas.