E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Do të barazojmë pensionet e fshatit me të qytetit



Qeveria “Berisha” është e vendosur për të barazuar pensionet e fshatit me ato të qytetit përgjatë mandatit të ri qeverisës. Lajmi mbërriti dje deri tek qytetarët e qarkut të Gjirokastrës, ku deputeti i PD-së së zonës, njëherësh dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, zhvilloi takime paraelektorale në Tepelenë dhe Memaliaj. Ruli kërkoi votat e banorëve të zonës për të çuar më tej ndryshimin e nisur 4 vjet më parë. "Votoni për ndryshimin që tashmë e keni ndier” dhe u ndal tek premtimet e mbajtura nga qeveria në 4 vitet e drejtimit. “Ne dëshirojmë që sot, tek i afrohemi fundit të mandatit, të ballafaqohemi me qytetarët për t'u thënë se ku jemi në raport me premtimet që kemi bërë, kur e morëm këtë mandat. Unë jam krenar se në fundin e tij jo vetëm kemi bërë shumë më tepër sesa në mandatin paraardhës të socialistëve, por them me plot gojën se kemi arritur, në vetëm 4 vjet, shumë më tepër krahasuar me të 8 vitet e qeverisjes së socialistëve”, - tha z. Genc Ruli. Ai u ndal tek arritjet kryesore në 4 vite, sikurse ishin lufta kundër varfërisë, infrastruktura, arsimi, fshati, biznesi, energjia, hyrja në NATO etj., duke shpjeguar punën e bërë, si rrjedhojë e të cilave, "Shqipëria ka sot një standard të ri, sigurisht më të lartë qeverisjeje". Ruli vazhdoi me një premtim drejtuar shtresës së pensionistëve: “Në mandatin e ardhshëm do të arrijmë që pensionet e fshatit t'i barazojmë me ata të qytetit”. Teksa u fokusua tek infrastruktura, Ruli vlerësoi se janë në përfundim të gjitha akset kryesore rrugore të vendit. "Qarku Gjirokastër e sheh konkretisht këtë jo vetëm për shkak të rrugës Gjirokastër-Tepelenë, që sapo përfundoi, por dhe rrugës që sapo nisi e që do të lidhë Tepelenën me Levanin dhe autostradën që të çon në Tiranë. Me mbylljen e tyre nuk do jetë më qarku i largët i jugut, por do jetë ai që do të lidhë për 1 orë Gjirokastrën me Tiranën dhe ku do kalojnë të gjitha flukset tregtare, sidomos marrëdhëniet me Turqinë, Greqinë dhe tregjet fqinje”, - tha ai. Lidhur me arritjet në përmirësimin e jetesës në fshat, në arsim, shëndetësi etj., Ruli theksoi mes të tjerave se “kjo qeveri ka treguar urtësi në shpërndarjen dhe drejtimin e investimeve. Prioritet iu dha investimeve në fshat, ku varfëria dhe vështirësitë ekonomike janë më të ndjeshme. Për këtë arsye, investimet për fshatin u rritën gati 1.5 herë. Në 4 vite u bënë gati 1600 km rrugë të reja, të një cilësie të lartë dhe jo sa për fasadë e gënjeshtra elektorale, gjë që do të thotë se fondi investimeve për rrugët e fshatrave u rrit 14 herë”, - tha ai. Për arsimin, Ruli vlerësoi se zhvillimi i tij na bën më shumë evropianë në çdo dimension. “Prandaj në këtë mandat janë rritur 1.5 herë fondet për arsimin, u liberalizua shkolla e lartë dhe dyfishua numri i studentëve. Mbi të gjitha, kjo qeveri rriti dy herë pagat e arsimtarëve dhe ky segment i shërbimit shtetëror do të jetë pa dyshim prioritar në çdo rritje apo indeksim pagash në të ardhmen, sepse janë ata që u shërbejnë dhe edukojnë fëmijët tanë”, - shtoi ai. Ministri i ETE-s, Ruli, u ndal edhe tek problemet e energjisë, duke theksuar se në 4 vjet është punuar shumë, që vendi të kthehet në normalitet. Duke shpjeguar politikat probiznes të ndërmarra nga qeveria, si përgjysmimi i taksave, heqja e barrierave burokratike, lehtësirat në biznes etj., ai shtoi: “Jo më kot Shqipëria ka dalë më pak e prekur nga një krizë, e cila ka terrorizuar ekonomitë e mbarë botës. Shqipëria është prekur nga kriza, por shumë më pak nga sa janë prekur gjithë ato ekonomike shumë herë më të fuqishme se jona. E gjithë kjo, sepse politikat që kjo qeveri ka ndërmarrë që nga viti 2005 ishin pikërisht ato politika që pjesa dërrmuese e qeverive në botë janë duke i ndërmarrë sot me ngut për të shmangur pasojat e tmerrshme të kësaj krize”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›