Çelet viti akademik në të gjithë vendin
Studentët e gjithë vendit ulen sot në auditorët e universiteteve. Janë rreth 22 mijë ish-maturantë, që hyjnë për herë të parë në dyert e shkollave të larta. Ndërsa fluksi është i lartë infrastruktura mbetet e njëjtë. Nga sa kanë paralajmëruar drejtuesit e universitete, për mungesë të ambienteve mësimi do të zhvillohet në pjesën më të madhe të fakulteteve deri në orën 8 të darkës. Ministria e Arsimit bën me dije, se sa u përket programeve të studimit të ciklit të dytë dhe për programet e studimit “Master i nivelit të parë” me kohë të plotë, do të fillojnë në datën 10 nëntor dhe do të mbyllen më 30 shtator 2009. Të njëjtat afate janë vendosur edhe për studimet me kohë të pjesshme dhe ato në distancë. Bujtinat e Qytetit Studenti në Tiranë janë përgatitur që të presin rreth 2.200 studentë të viteve të para dhe rreth 4500 të tjerë, që vijojnë studimet në universitetet e kryeqytetit. Këtë vit, për herë të parë, Qyteti i Studentit ofron shërbimin e internetit në çdo dhomë, ku ata mund ta përdorin internetin 24 orë, kundrejt një pagese prej 300 lekësh në muaj. Ndërkaq burime pranë MASH sqarojnë se karta e studentit, dokumenti përmes të cilit studentët e arsimit publik dhe jopublik do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara, do të jetë gati gjatë këtij vitit akademik. Grupi i punës pritet që brenda një kohe të shkurtër të përcaktojë kriteret, duke ndjekur shembujt më të mirë të rajonit e Evropës dhe po përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen. Në lidhje me përfitimet, Qeveria Studentore rekomandon se duhet të negociohet me aktorë të ndryshëm publikë e privatë (grupe interesi të arsimit publik ose jo) për t’i krijuar mundësinë studentëve, që të kenë avantazhe të ndryshme financiare. Karta e studentit lëshohet për një periudhë 1-vjeçare, kundrejt një çmimi prej 100 (njëqind) lekësh. Dokumenti i Kartës së Studentit do të jetë i formatit ID1, i pajisur me elemente të sigurisë dhe do të përmbajë: emrin, mbiemrin e studentit; datëlindjen; universitetin, degën, vitin; numrin e serisë së kartës së studentit; datën e lëshimit të kartës së studentit; periudhën e vlefshmërisë.