Bumçi: Rama, zhvatësi i buxhetit të Tiranës
PD-ja bën përgjegjës kryebashkiakun Edi Rama për rritjen e shpenzimeve operative të institucionit që ai drejton. Aldo Bumçi, zëdhënës i grupit parlamentar të PD-së, i vuri në dukje kryetarit të Bashkisë së Tiranës rritjen me 4 herë të shpenzimeve operative të kësaj bashkie në periudhën 2002-2008. Z. Bumçi bëri të ditur se "shpenzimet administrative për 1 mijë banorë të Bashkisë Tiranë janë 35% më të larta sesa Bashkia Shkodër, 33% më të larta se Bashkia Vlorë, 23% më të larta se Bashkia Korçë etj". Sipas tij: "Shpenzimet administrative të institucionit që drejton kryeqytetin, jo vetëm nuk duhet të ishin më të larta se qytetet e tjera, por duhet të ishin më të ulëta, pasi sipas ligjit të 'ekonomisë së shkallës' sa më e madhe është një njësi/ndërmarrje, aq më shumë ulen shpenzimet". "Këto fonde janë taksat e qytetarëve të Tiranës, që kryebashkiaku duhet t'ia kthente qytetit me investime dhe jo t'i shpërdoronte për shpenzime administrative", - tha Bumçi. Ai evidentoi se shpenzimet administrative gjithsej për këto njësi, për një vit buxhetor, bëhen 230 milionë lekë, shifër e barabartë me grantin që përfiton nga buxheti i shtetit një bashki e madhe si Shkodra, Elbasani dhe Durrësi. “Këto njësi bashkiake, - tha Bumçi, - me një administratë prej qindra punonjësish që kushton 230 milionë lekë, janë marrë deri dje vetëm me shpërndarjen e 150 milionë lekëve të ndihmës ekonomike dhe të paaftësisë në një vit fiskal”.
Bogdani, thirrje të rinjve: Aplikoni për kartat
Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, u bëri thirrje dje të rinjve në mbarë vendin që të bëhen pjesë e procesit të pajisjes me kartat e identitetit. Kreu i FRPD-së ftoi të rinjtë që të aplikojnë masivisht për pajisjen me karta identiteti, pasi, sipas tij, këto karta janë njëkohësisht edhe karta dinjiteti e shenjë qytetarie, si një standard cilësor që lehtëson rrugën drejt integrimit të afërt në Evropë. Gjatë punimeve të konferencës së FRPD-së në Berat, Bogdani pohoi se PD-ja ka qenë e para që ka hapur dyert për të rinjtë dhe ka sjellë ndryshimin e vërtetë në Shqipëri. Kryetari i FRPD-së, Gerti Bogdani, në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, tha: ''Të rinjtë kanë fatin të bëhen pjesë e ndryshmit me zërin e tyre, sepse PD-ja ka qenë e para që ka hapur dyert për të rinjtë dhe ka sjellë ndryshimin e vërtetë në Shqipëri, sepse ne jemi pjesë e politikës aktive me zërin tonë në vendimmarrje".