E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat; PE, rezolutë për përshpejtimin e heqjes së vizave



Parlamenti Evropian jep mesazhin e qartë se e ardhmja e Ballkanit do të jetë BE-ja. PE-ja miratoi dje rezolutën që përshpejton procesin e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre dhe Shqipëria. Në kushtet e një krize ekonomike dhe paqartësie brenda BE-së, PE-ja apeloi se liberalizimi i vizave me këto vende të kryhet sa më shpejt. Rezoluta parashikon që vendet e Ballkanit më parë të heqin vizat me njëri-tjetrin. Përpara këtij integrimi, ku vlerësohet se secili vend duhet të përmbushë kriteret e Kopenhagenit, parlamentarët evropianë kërkuan me një shumicë dërmuese që liberalizimi i vizave me këto vende duhet të bëhet urgjent. Një nga katër pikat e rezolutës shprehet se liberalizimi sa më i shpejtë i vizave do t’i hapte rrugë përshpejtimit të integrimit dhe do të stabilizojë këto vende. Edhe pse vendet e BE-së po vuajnë nga një krizë ekonomike dhe paqartësie në lidhje me të ardhmen e mëtejshme të BE-së, pas Traktatit të Lisbonës duket se kjo nuk ka ndalur parlamentarët evropianë të kërkojnë heqjen e vizave me Ballkanin, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Në rezolutë thuhet se është tepër e domosdoshme lëvizja e lirë e qytetarëve, si dhe plotësimi i kushteve nga vendet e Ballkanit. Në një pikë të rezolutës thuhet se BE-ja duhet të shmangë krijimin e një situate ku të krijohen diferenca mes vendeve të Ballkanit, veçanërisht në procesin e liberalizmit të vizave, çka do të thotë se favorizohet liberalizimi për të gjitha vendet e rajonit në të njëjtën kohë. Në rezolutën e miratuar me 305 vota pro, 23 kundër dhe 12 abstenime, thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë liberalizimin e vizave, por më parë të heqin vizat mes tyre. Kështu, PE-ja kërkoi që të gjitha vendet e Ballkanit duhet që të lejojnë qytetarët e tyre të udhëtojnë pa viza, më pas kjo do të bëhet me vendet e BE-së.

4 pikat

Rezoluta thotë se fillimisht duhet të zgjidhen përfundimisht çështjet konfliktuale në Ballkan; së dyti, të plotësohen kriteret dhe më pas të liberalizohen tërësisht vizat; së treti, të ketë një bashkëpunim me Gjykatën e Hagës dhe së katërti, u kërkua një bashkëpunim ndërparlamentar mes vendeve të Ballkanit dhe Parlamentit Evropian. Gjithashtu, në këtë rezolutë kërkohet që të rriten fondet për bursa studimi për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor. Kërkohet të krijohet dhe një kornizë investimi për rajonin në vitin 2010, që do të koordinojë të gjitha fondet, huat apo grantet që jepen nga BE-ja. Kjo do të thotë se BE-ja do të rrisë fondet për vendet e Ballkanit. Krahas mbështetjes financiare, do të ketë mbështetje në projekte konkrete nga vetë BE-ja për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre vendeve. Lehtësia për rritjen e numrit të studentëve ballkanas në BE është interpretuar si më shumë afrim mes rajoneve. Gjithsesi, PE-ja shpreh shqetësimin për pasojat e luftës në Ballkan që mbeten ende pengesë për sigurinë dhe stabilitetin politik të rajonit. Parlamentarët evropianë shqetësohen edhe për ndërhyrjen politike në mediat e Ballkanit Perëndimor si dhe në ndërthurjen e interesave të biznesit, politikës dhe medias në këto vende.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›