E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: Socialistët të votojnë rezolutën

Qëndrimi Komisioni parlamentar për integrimin diskutoi dje nismën, munguan deputetët e opozitës

Socialistët nuk morën pjesë dje në mbledhjen e Komisionit të Integrimit, ku u diskutua mbi rezolutën për vizat. Nënkryetari i Komisionit të Integrimit, Aldo Bumçi, tha se deputetët e opozitës, të cilët kanë ardhur në Kuvend, kanë depozituar edhe emrat në komisionet përkatëse, ndaj duhet të vinin në Komisionin e Integrimit, të merrnin kryesinë e këtij komisioni siç është rënë dakord me opozitën dhe të bëheshin pjesë e kësaj rezolute. “Pavarësisht nga ky fakt, që nuk erdhën sot në shqyrtimin e rezolutës, ne u bëjmë thirrje, ne ftojmë opozitën që të jetë e pranishme ditën e enjte në seancë plenare, ku do të miratohet rezoluta për procesin e liberalizimit të vizave. Ky nuk është një proces politik, nuk është çështje politike, por është një çështje jetike për të gjithë qytetarët shqiptarë, qofshin këta të majtë, të djathtë, pa parti. Ne si komb, kemi në kujtesën tonë historike izolimin më të thellë. Edhe gjatë këtyre 20 viteve, qytetarët shqiptarë kanë hasur vështirësi për të udhëtuar jashtë, për të takuar fëmijët e tyre, të afërmit”, tha Bumçi. Deputeti demokrat arsyetoi se meqenëse ka mbi 1 milion shqiptarë që jetojnë në emigracion, lëvizja e lirë është jetike për kombin tonë. “Në përkrahje të këtij procesi, në përkrahje të një pune kolosale që është bërë në përmbushje të kërkesave të udhërrëfyesit të Bashkimit Europian, Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë një rezolutë”, tha ai. Nisur nga seanca e së enjtes, deputeti i mazhorancës ftoi opozitën në shprehje të vullnetit të saj, të vijë të votojë rezolutën në Kuvend, duke treguar që është në përkrahje të këtij procesi jetik për qytetarët shqiptarë. “Jam i bindur që duke bërë këtë, duke ndërmarrë këtë hap ditën e enjte, nuk do të bëjë asgjë tjetër përveçse do të përmbushë vullnetin e dhjetëra mijëra anëtarëve të Partisë Socialiste”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›