Burg përjetë për dy vëllezërit e bandës së Mirditës
Prokuroria kërkoi burgim maksimal për vëllezërit Dritan dhe Nikoll Syziu, të akuzuar si pjesëtarë të bandës famëkeqe të Mirditës, e cila ishte kthyer tmerri i kësaj zone për vitet 1996 2002. Për vite me radhë, ata kanë kryer grabitje të shumta, madje nuk kanë ngurruar të shkrepin armën edhe kundër punonjësve të policisë. Sipas akuzës, kërkohet që vëllezërit Dritan dhe Nikoll Syziu të dënohen me burgim të përjetshëm, ndërsa të pandehurit e tjerë Bardhok Syziu, Tonin Gjoka dhe Arjan Reçi të dënohen me 20 vjet burg. Prokurori Anton Martini, duke lexuar konkluzionet përfundimtare, tha se banda ka grabitur qytetarë në rrugë, ka vjedhur aksesorë makinash, si dhe ekzekutuar një efektiv policie, teksa ky i fundit mbërriti me grupin e gatshëm për t’i prangosur. Veprimtaria kriminale e kësaj bande shtrihet prej fundit të vitit 1996 deri në 2002-shin. Në bashkëpunim gjatë një grabitjeje ata akuzohen se vranë punonjësin e policisë Gjon Paçuku dhe plagosën rëndë tre kolegë të tij, Nikoll Marku, Bardhosh Jaku dhe Ndue çupi, të gjithë efektivë të Komisariatit të Mirditës. Ngjarja ka ndodhur më 27 qershor të vitit 2000 kur këta persona qëlluan në drejtim të policisë gjatë një grabitjeje me granata dore dhe armë të ndryshme. Gjithashtu kjo bandë njihet dhe si më e frikshmja në zonën e Mirditës, për shkak të veprimtarisë kriminale. Pas afërsisht dhjetë vitesh pritet që këta persona të dënohen sipas ligjeve të shtetit shqiptar për veprën penale që kanë kryer.
#