E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Buxheti, peng i ambicies për pushtet

Kryebashkiaku Edi Rama iu drejtua publikisht të gjitha strukturave të Bashkisë së Tiranës, në një mbledhje të hapur të organizuar në Pallatin e Kongreseve, duke u kërkuar angazhim dhe përkushtim maksimal në përballimin e situatës së vështirë në Tiranë, "në një qytet të jashtëzakonshëm, i cili nuk meriton të mbetet peng i interesave dhe ambicieve të pakontrolluara për pushtet", pas rrëzimit të Buxhetit 2009 nga Këshilli Bashkiak.

"Politika mund të mbajë ‘peng‘ një buxhet, por jo një qytet!", ishin fjalët e kryebashkiakut, i cili ka fshikulluar ashpër si këshilltarët demokratë, ashtu edhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që me vota të bashkuara rrëzuan dokumentin financiar më të rëndësishëm të kryeqytetit. Rama u shpreh se "buxhetin e Tiranës e rrëzoi mungesa e vetëdijes qytetare, e një shumice të krijuar në sallën e Këshillit Bashkiak nga ambicia e pakontrolluar për pushtet, e politikanëve që arrijnë të marrin peng të gjithë Tiranën, rrugët, kopshtet, shkollat, çerdhet, parqet, qendrat sociale e gjithçka". Sipas tij, buxheti i vitit 2009 është i qytetit, jo i politikës, i interesave të qytetarëve, jo i synimeve të politikanëve, i nevojave të përditshme të zgjedhësve, jo i ambicieve të vogla të zgjedhësve. Ai theksoi se "jemi në shërbim të qytetarëve dhe jo të politikës!". Në këtë mbledhje të hapur, kryebashkiaku Rama zbardhi publikisht ato që i cilësoi si pasoja negative që qyteti dhe qytetarët e Tiranës rrezikojnë të vuajnë nga mosmiratimi i buxhetit 2009. Ai tha se, "politika e interesave dritëshkurtra mban peng në të gjithë Bashkinë e Tiranës një sërë kërkesash të qytetareve dhe qytetarëve, një sërë nevojash të komuniteteve në të gjithë territorin e njësive bashkiake. Të gjitha këto janë pengje nga ambicia e pakontrolluar për pushtet e atyre që kanë urdhëruar votën kundër buxhetit në Këshillin Bashkiak". Por, duke marrë shkas nga kjo situatë e vështirë për qytetin, Rama garantoi qytetarët për shërbim 24 orësh, pasi Bashkia e Tiranës nuk është e politikës, por e qytetarëve. "Motivimi i gjithsecilit prej nesh dhe angazhimi tërësor i të gjitha energjive mendore, fizike e shpirtërore të secilit prej nesh, është kyçi i zgjidhjes së këtij problemi të madh", u shpreh Rama. Ai theksoi se ne duhet të jemi sot, më shumë se kurrë, pranë qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës. "Të jesh shërbëtor i një qyteti do të thotë të jesh më shumë se një politikan", nënvizoi ai në këtë takim. Kryebashkiaku shtoi se "ne duhet të jemi një trupw e jashtëzakonshme dhe e efektshme shërbëtoresh e shërbëtorësh të qytetit, në çdo pjesë të territorit dhe s‘duhet ta harrojmë për asnjë çast se kemi privilegjin e madh t‘i shërbejmë jo vetëm qytetit më të madh të Shqipërisë, por t‘i shërbejmë qytetit të së ardhmes. Rama ka kujtuar se kur vjen puna për rrugët, për shkollat, për parqet, për ndriçimin publik, për kopshtet e çerdhet, për shërbimet, për të pastrehët, ne nuk jemi disa palë, ne jemi një palë, jemi pala kryeqytetase, ne jemi shqiptarët që jetojnë në kryeqytet, ku duhet të kemi edhe kryeshërbime e për këtë arsye ne duhet të jemi kryeshërbëtorë. Lidhur me çmimin e marrë së fundi, Rama u shpreh se e ndan atë me të gjithë punonjësit e bashkisë, nga kolegët më të afërt deri te pastruesit e qytetit.

Në ndryshimin e kryeqytetit, ai ka kërkuar edhe "forcën për të kuptuar se jo vetëm një grusht politikanësh dhe një shumatore interesash të vogla të politikës së politikanëve nuk mund të na mbajnë peng, por edhe se jemi këtu për t‘u shërbyer qytetareve dhe qytetarëve, por edhe imazhit të vendit tonë, kudo në botë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›